Lidhje

Maqedoni, debat dhe takime për çështjen e emrit


Drejtuesit shtetërorë dhe politikë të Maqedonisë u takuan të shtunën në mbrëmje në Shkup për të shqyrtuar propozimet rreth çështjes së emrit të Maqedonisë, që ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara Mathew Nimetz i ofroi para dhjetë ditësh.

Presidenti Gjorgje Ivanov, kryeministri Zoran Zaev dhe kryetarët e BDI-së Ali Ahmeti dhe VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski nuk dhanë shumë hollësi pas më tepër se pesë orë që zgjati takimi, nëse kanë qëndrime të përafërta apo nëse do të arrijnë një konsensus të shpejtë mbi propozimet e ndërmjetësit Nimetz. Por, ata u shprehën optimistë se problemi shumëvjeçar do të mund të gjejë një zgjidhje.

Takimi i drejtuesve në Shkup u bë me nismën e ministrit të jashtëm Nikolla Dimitrov, i cili së bashku me kryeministrin Zaev i kanë njoftuar politikanët kryesorë të Maqedonisë mbi takimet që kanë zhvilluar së fundmi me homologët e tyre grekë.

Ndërkaq, Greqia kërkon një zgjidhje“ Erga Omnes” sipas autoriteteve në Athinë, përkatësisht një emër për përdorim të përgjithshëm, edhe për vetë Shkupin edhe për përdorim ndërkombëtar.

Në Shkup mbretëron një atmosferë se çështja shumëvjeçare është më pranë zgjidhjes se kurrë më parë, por ekziston një lloj druajtje nga ana tjetër se ndryshimi i emrit të vendit do të mund të prekte edhe identitetin e popullit maqedonas.

Sipas medias në Athinë dhe në Shkup, referencat për emrin e ri të Republikës së Maqedonisë janë: “Republika e Maqedonisë Veriore”, “Maqedonia e Epërme”, “Maqedonia e Re”, “Maqedonia e Vardarit”, apo “Repubika e Maqedonisë – Shkupi”, por të gjitha këto në gjuhën maqedonase. I fundit duket se është më i pranueshëm për autoritetet në Shkup, por nga ana tjetër politikanët konservatorë në Athinë ngulin këmbë që emri i ri i vendit fqinj të mos ketë fare fjalën Maqedoni.

Nëse gjendet një zgjidhje brenda këtyre muajve, para samitit të pritshëm të Natos, Maqedonia mund të bëhet anëtarja më e re e Aleancës Veriatlantike, eventualisht të fillojë edhe bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Problemi greko-maqedonas daton që nga pavarësia e Maqedonisë dhe Greqia nuk e njeh vendin fqinj me këtë emër për shkak të një territori të veri të saj që mban të njejtin emër. Kjo ka shkaktuar bllokimin e rrugëve integruese të Maqedonisë në strukturat Euro-atlantike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG