Lidhje

Shkupi dhe Athina në kërkim të një zgjidhjeje për emrin e Maqedonisë


Autoritetet shtetërore dhe drejtuesit politikë në Maqedoni nuk dëshirojnë që në këtë fazë të flasin publikisht për propozimet mbi emrin e Maqedonisë të ofruara para dhjetë ditësh nga ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz.

Megjithatë, në Shkup mbretëron një atmosferë se çështja shumëvjeçare është më pranë zgjidhjes se kurrë më parë, por ekziston një lloj druajtje nga ana tjetër se ndryshimi i emrit të vendit do të mund të prekte edhe identitetin e popullit maqedonas.

Mbrëmë për më shumë se pesë orë kanë diskutuar presidenti Gjorgje Ivanov, kryeministri Zoran Zaev, kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristian Mickovski dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Presidenti dhe drejtuesi opozitar parapëlqyen që takimin ta quajnë informativ, ndërsa përfaqësuesit e pushtetit theksuan tone shpresëdhënëse për një zgjidhje të mundshme të problemit me Greqinë fqinje.

Por, çështja është se a do të ketë një konsensus politik në Maqedoni, apo barra do t’i lihet vetëm qeverisë për t’u marrë me problemin 25 vjeçar.

“Ky proces kërkon përfshirje, përkushtim dhe përgjegjësi politike me qëllim të ndërtimit të konsensusit kombëtar në Repubikën e Maqedonisë. Me zgjidhjen e problemit të dyanshëm që po zgjat 25 vjet synojmë të sigurojmë përparim dhe integrimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në Nato dhe të mbrojmë interesat kombëtare dhe dinjitetin e popullit tonë”, thotë kryeministri Zoran Zaev.

“Ndoshta ky takim duhej bërë shumë më herët. Por, i morëm informatat dhe kemi një pasqyrim sa i përket gjendjes se si po rrjedhin bisedimet dhe vetë procesi, kështu që mund të them se prej tash e tutje përgjegjësia e përgjithshme bie mbi qeverinë se si ajo do ta drejtojë procesin”, shprehet drejtuesi opozitar Hristijan Mickovski.

Unë vlerësoj se ky është fillimi i fundit të një procesi shumë të rëndëishëm për vedin tonë. Sa për detaje, nuk dua as ta cënoj procesin”, thotë Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ndërsa, presidenti Gjorgje Ivanov theson: “Ramë dakord që të mos zbulojmë detaje për idetë e ndërmjetësit Nimetz që të mund të të flasim me zotin Nimetz në mënyrë objektive e që të mos ketë trysni as spekulime nga të gjitha anët.”

Ndërkaq, Greqia kërkon një zgjidhje“ Erga Omnes” sipas autoriteteve në Athinë, përkatësisht një emër për përdorim të përgjithshëm, edhe për vetë Shkupin edhe për përdorim ndërkombëtar.

Opozita greke duket se nuk është e gatshme të heq dorë nga qëndrimet për sa i përket termit Maqedoni. Edhe kryeministri grek Tsipras dje ka zhvilluar takime me politikanët kryesorë në Athinë, por nuk ka marrë mbështetjen e opozitës që Republika e Maqedonisë apo Shkupi, siç i thonë ata, të mund ta përdorë referencën Maqedoni në një emër të përbërë, eventualisht të shoqëruar me një përcaktim gjeografik.

Sipas medias në Athinë dhe në Shkup, referencat për emrin e ri të Republikës së Maqedonisë janë: “Republika e Maqedonisë Veriore”, “Maqedonia e Epërme”, “Maqedonia e Re”, “Maqedonia e Vardarit”, apo “Republika e Maqedonisë – Shkupi”, por të gjitha këto në gjuhën maqedonase.

Problemi greko-maqedonas daton që nga pavarësia e Maqedonisë dhe Greqia nuk e njeh vendin fqinj me këtë emër për shkak të një territori të veri të saj që mban të njejtin emër. Kjo ka shkaktuar bllokimin e rrugëve integruese të Maqedonisë në strukturat Euro-atlantike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG