Lidhje

Debate për mësimin e shqipes nga fëmijët e emigrantëve në Kretë


Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në qytetin e Hanias në ishullin e Kretës në Greqi tha sot se ishte shtyrë për të dielën e ardhshme fillimi i kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë.

Kjo, sipas organizatës, për arsye se Këshilli i Përgjithshëm Pedagogjik i Hanias do ta diskutonte ditën e hënë vendimin për shkollën në të cilën do të zhvillohej mësimi i shqipes.

Organizata e emigrantëve njoftoi ndërkaq se mësimi i gjuhës shqipe ishte zhvilluar siç ishte parashikuar në një rajon tjetër, në qytezën e Paliohoras, po në këtë ishull, ku morën pjesë sipas organizatës, 38 fëmijë. Media greke raportoi se në ishullin e Kretës nxënës dhe prindër grekë protestuan dy ditë më parë kundër mësimit të gjuhës amtare nga fëmijtë e emigrantëve shqiptarë që ndodhen në qytetin Hania.

Burimet greke thanë se të premten, më 26 janar, drejtori i gjimnazit ku pritej të niste mësimi i shqipes këtë të dielë, dha dorëheqjen. Disa nga mediat greke e vlerësuan ngarjen si “shpërthim nacionalizmi dhe ksenofobie në një shkollë në Hania në kohën që Athina dhe Tirana po bëjnë me shpejtësi hapa për zgjidhjen e problemeve ndërmjet tyre, me synim të menjëhershëm heqjen e Ligjit të Luftës, të vendosur që nga viti 1940”.

Të dielën e kaluar, në gjimnazin e parë të Hanias komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Hania organizoi një ceremoni për fillimin e mësimeve të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Por prindër dhe mësues grekë reaguan duke kërkuar anulimimin e këtij vendimi të drejtorisë dhe kjo i detyroi autoritete vendore të arsimit të shtyjnë mësimin e shqipes që pritej të niste këtë të dielë.

Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Hania ka shprehur vendosmërinë për fillimin e kurseve të gjuhës shqipe në këtë rajon.

Në Greqi shqiptarët përbëjnë komunitetin më të madh të emigrantëve të huaj dhe një nga sfidat e tyre është mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët. Në Athinë dhe Selanik funksionojnë disa kurse për mësimin e shqipes, të hapura nga organizata të emigrantëve, por nevojat janë të mëdha në shumë rajone ku është përqëndruar komuniteti i shqiptarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG