Lidhje

Fjalimi vjetor i Presidentit mbi gjëndjen e vendit


Presidenti amerikan Donald Trump pritet të verë theksin tek gjendja e mirë ekonomike dhe të bëjë thirrje për përpjekje dypalëshe lidhur me emigracionin, gjatë fjalimit të tij të martën në mbrëmje mbi gjendjen e vendit.

Fjalimi i tij përpara të dy dhomave të Kongresit vjen një vit pasi Donald Trumpi ka marrë detyrën e Presidentit dhe rreth një javë nga debatet mbi buxhetin dhe politikën që duhet ndjekur në raport me një grup emigrantësh që kanë ardhur në Amerikë ilegalisht në moshë të mitur. Debatet çuan në mbylljen për tre ditë të qeverisë.

Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump do të flasë mbi çështje që lidhen me punësimin, ekonominë dhe reformën e taksave, si dhe t'u kërkojë ligjvënësve të miratojnë planin e tij prej triliona dollarësh mbi infrastrukturën.

Ai pritet të flasë gjithashtu për çështje të sigurisë kombëtare, përfshirë aktivitetin bërthamor dhe programin e raketave të Koresë së Veriut, si dhe nevojën për politika të drejta tregtare.

Siç është traditë, disa demokratë do të mbajnë fjalime të shkurtra si përgjigje në fund të fjalimit të Presidentit.

Fjalimi mbi gjendjen e vendit është një mesazh vjetor i Presidentit të Shteteve të Bashkuara që mbahet gjatë një sesioni të përbashkët të Kongresit amerikan. Që nga viti 2011 fjalimi është mbajtur ditën e martë. Fjalimi fokusohet në çështje që lidhen me buxhetin, të dhëna mbi ekonominë e vendit dhe i jep mundësi Presidentit të nënvizojë axhendën e tij legjislative (për të cilën nevojitet bashkëpunimi i Kongresit) dhe përparësitë kombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG