Lidhje

Dorëhiqet diplomati amerikan i karrierës


shanon
shanon

Diplomati i tretë më i lartë i qeverisë amerikane njoftoi dorëheqjen të enjten pas gati 35 vjet shërbim. Ky është zhvillimi më i fundit i një rrjedhe të vazhdueshme të zyrtarëve të karrierës që janë larguar nga Departamenti i Shtetit që kur Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë.

"Vendimi im është personal dhe i nxitur nga dëshira për të qenë pranë familjes. Dua të vlerësoj atë që kam bërë e të vendos një drejtim të ri për vitet e mbetura", tha Thomas Shannon në një deklaratë.

Sekretari i Shtetit Tillerson i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” se ai i kishte kërkuar zotit Shannon të mos jepte dorëheqjen dhe se e konsideronte largimin e tij, një humbje.

"Tridhjetë e pesë vjet përvojë nuk është diçka që e zëvendëson brenda natës" tha ai.

Zoti Tillerson vlerësoi zotin Shannon për njohuritë e tij "enciklopedike" të diplomacisë amerikane dhe shtoi se: "do të ketë gjithmonë një vend për Tom Shannonin në Departamentin e Shtetit''

Pavarësisht fjalëve vlerësuese të zotit Tillerson, largimi i zotit Shannonit ka të ngjarë të shkaktojë sërisht kritika nga kundërshtarët e administratës që akuzojnë zotin Trump dhe zotin Tillerson se po shkatërrojnë shërbimin e jashtëm.

Dorëheqja e Thomas Shannon krijon një tjetër zbrazëti në nivelet e larta të Departamentit të Shtetit, ku 13 pozicione për ndihmës sekretarë dhe nënsekretarë si dhe dhjetra vende për ambasadorë mbeten të paplotësuara.

60-vjeçari Thomas Shannon ka rënë dakord të qëndrojë në agjenci për disa muaj, deri në miratimin e një nënsekretari nga Senati.

Zoti Shanon është një figurë shumë e respektuar në komunitetin diplomatik amerikan. Ai ka shërbyer nën gjashtë presidentë.

"... shërbimi im është përcaktuar nga betimi për marrjen e detyrës dhe angazhimi që marrim për të mbrojtur Kushtetutën , institucionet dhe vlerat tona", tha zoti Shannon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG