Lidhje

Tiranë, shorti i tretë për komisionet e reformës në drejtësi


Pas rrëzimit me dy votimet e para në parlament, ku nuk u bënë 94 vota pro, nënkomisioni ad-hoc përsëriti këtë të hënë për herë të tretë shortin manual dhe përzgjodhi listën me emrat e 10 kandidatëve jogjyqtarë e joprokurorë për 5 vende në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Për anëtarë të KLGJ u përzgjodhën me short Alban Toro e Fatmira Luli nga avokatia, Maksim Qoku, Erjon Muharremaj nga pedagogët, ndërsa kandidatja e shoqërisë civile është Naureda Llagami.

Për anëtarë të KLP kandidatë janë Tartar Bazaj e Nurihan Seiti nga avokatia, Sandër Beci e Genti Ibrahimi nga pedagogët, si dhe kandidati Alfred Balla nga shoqëria civile.

Tiranë, shorti i tretë për KLGJ dhe KLP
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00

Kryetari i komisionit të ligjeve Ulsi Manja tha se procesi po ecën në përputhje me ligin, duke hedhur poshtë kritikat e opozitës.

Qysh në fillim të mbledhjes, u përjashtua nga shorti kandidati Kozma Jano, pasi u lexua një vendim i Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, se për të do të nisë një hetim i thelluar.

Opozita tha për të ai ishte bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të Shtetit.

Opozita nuk ka dhënë mirëkuptim e ka kritikuar fort procesin, duke publikuar shumë të dhëna, sipas të cilave, pjesa dërrmuese e kandidatëve nuk plotësojnë apo shkelin kriteret ligjore.

Deputeti Oerd Bylykbashi tha se ky proces është një farsë, që po përsëritet tre herë dhe se kandidatët nuk plotësojnë kushtet ligjore, me lidhje të afërta më qeverinë socialiste, kanë një mori shkeljesh dhe disa janë përjashtuar nga ONM-ja (Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit) dhe janë rifutur në garë.

Opozita ka theksuar se midis të kualifikuarve janë edhe dy emra avokatesh, Fatmira Luli dhe Nurihan Seiti, të cilat sipas Autoritetit për Informimin mbi dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit, kanë marrë pjesë, e para si gjyqtare dhe e dyta si prokurore në procese politike të zhvilluara deri para mesit të vitit 1991.

Komisioni përjashtoi nga procesi javën e kaluar kandidatin Altin Hazizaj, për shkak të fakteve shtesë për dënime të tij të mëparshme nga drejtësia.

Zoti Hazizaj ka deklaruar më parë se ai nuk ishte njoftuar nga drejtësia dhe as ishte në dijeni që gjykatat e kishin dënuar dy herë me vendim të formës së prerë.

Lista e tretë me kandidatët do t’i niset parlamentit për votim në seancën e radhës.Pritet që edhe kjo listë e tretë rrëzohet nga parlamenti, por sipas ligjit, nëse nuk ka mirëkuptim, lista konsiderohet e miratuar.

Ligji parashikon tre raunde votimi me 2/3 për miratimin e kandidatëve në parlament. Nëse parlamenti nuk miraton për 3 herë rresht listën e paraqitur, kandidatët konsiderohen të zgjedhur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG