Lidhje

Maqedonia mirëpret strategjinë e BE-së


Kryeministri maqedonas Zoran Zaev nuk e ka fshehur kënaqësinë pas shpalosjes së Strategjisë sot në Bruksel nga drejtuesit e Bashkimit Evropian. Ai shpreson që vendi i tij ta arrijë grupin e parë të shteteve për anëtarësimin e parashikuar për në vitin 2025. Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar theksoi se vendet e Ballkanit perëndimor duhet të bëjnë reforma të shpejta për të arritur kushtet për integrim në BE.

Zoti Zaev e quajti këtë një nxitje shtesë që paraqet një shpresë të madhe për Republikën e Maqedonisë. “Ky, tha ai, është një motiv më tepër që të punojmë dhe ta arrijmë grupin e shteteve të cilat tashmë po negociojnë, që janë Serbia dhe Mali i Zi, për të cilat ka një plan të detajuar kohor. Për qytetarët e Republikës së Maqedonisë kjo paraqet një vërtetim për suksesin e përpjekjeve tona të deritanishme në të gjitha fushat e reformave. Ky sukses është i përbashkët i të gjithë shtetit, të gjitha institucioneve, i të gjitha partive politike, i të gjitha komuniteteve dhe i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, tha Zaev.

Ndërkohë, kryeministri maqedonas vuri në dukje hapat e para që qeveria e tij ka bërë sot në drejtim të uljes së tensioneve dhe zgjidhjes së krizës shumëvjeçare me Greqinë fqinje.

“Sot qeveria e mbylli procedurën e filluar nga seanca e kaluar dhe mori vendimin që autostrada nga kufiri verior deri tek kufiri jugor të emërohet si autostrada “Miqësia”, ndërkaq morëm edhe vendimin që emri i aeroportit të jetë “Aeroporti Ndërkombëtar – Shkupi”, theksoi ai. Zaev tha se pala maqedonase nuk dëshiron të bëjë ankand publik me emrin e vendit, por se mbetet me shpresë për një zgjidhje të mundshme, të pranueshme për të dyja palët.

Ambasadori Zhbogar theksoi nevojën për bashkëpunim midis pushtetit e opozitës dhe shoqërisë civile si dhe ngritjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore. “Të gjitha këto duhet të zgjidhen para hyrjes në BE”, tha ai.

“E kemi bërë shumë të qartë se Ballkani perëndimor, ashtu siç është sot, nuk është ende gati për anëtarësim në BE. Ende ka reforma që duhet bërë dhe përshpejtuar. Por, me kusht që drejtuesit e shteteve të rajonit të marrin veprime urgjente, ekziston mundësia që deri në vitin 2025 vendet e para të mund të hyjnë në Bashkimin Evropian”, tha shefi i Delegacionit të KE-së dhe BE-së në Shkup.

Maqedonia është ndër vendet e para të rajonit që mori statusin ‘vend kandidat për anëtarësim në BE’ që në dhjetor të vitit 2005, madje edhe para Kroacisë, e cila tashmë është anëtare e plotfuqishme. Por, por mungesa e reformave të mirëfillta dhe problemet e krizat e shpeshta të brendshme kanë zvarritur rrugën e Maqedonisë drejt Brukselit. Sfida kryesore për vendin e vogël ballkanik është ndryshimi i emrit, që paraqet dhe kushtin kryesor nga BE-ja për anëtarësim në këtë organizatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG