Lidhje

Duka rizgjidhet president i FSHF-së për herë të pestë


Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u rizgjodh sot për të pestën herë në këtë post, pas një gare plot akuza për shpërdorim detyre me deputetin socialist, ish-kryeministrin Bashkim Fino.

Asamblesë së Përgjithshme iu deshën të votojë në dy raunde për të përsëritur fitoren e pestë të zotit Duka, ndërsa sfidanti Fino tha se votimet ishin të manipuluar dhe se do të ankohej në gjykatë për të sqaruar statusin e votuesve në këtë proces zgjedhor.

“Kisha një platformë shumë të mirë, por në votim morën pjesë disa shoqata fantazëm pa aktivitet dhe përfaqësues klubesh pa ekipe. Nëse nuk do të ishin këto votues, gara do të ishte e ndershme” - tha zoti Fino.

Gara mes zotërinjve Duka e Fino ngjalli interesimin edhe të UEFA për faktin se garuesi i dytë është një politikan i njohur i të majtës.

Zyrtarë të UEFA-së ndoqën garën nga afër me shqetësimin e ndërhyrjeve të mundshme të politikës në punët e futbollit.

Të dy konkurrentët akuzuan njëri-tjetrin për lidhje me politikën dhe përdorim të presioneve politike si mjet për të fituar garën.

Presidenti i sapozgjedhur për të pestën herë, Duka, tha se votimi ishte një vlerësim për rezultatet e deritanishme të tij në krye të Federatës. Ndërsa lidhur me akuzat e zotit Fino për manipulim të votim, ai tha se tani do të shohë zbatimin e premtimeve.

“Unë nuk jam gjyqtar. Tani që u rizgjodha president i FSHF-së po mendoj vetëm për të bërë realitet ato që kam premtuar dhe për të përmirësuar gjithë kritikat që janë bërë gjatë kësaj periudhe” - tha zoti Duka.

Nën drejtimin prej 16 vitesh nga Armand Duka, kampionati shqiptar i futbollit është hetuar shpesh herë për trukime ndeshjesh midis klubesh dhe fiksim të rezultateve.

Së fundi një ekip disa herë kampion si Skënderbeu i Korçës u përjashtua nga kupat e Europës pas dyshimeve nga institucioneve të specializuara për trukim ndeshjesh të kampionatin vendas, i cili nuk ka emër të besueshëm në Europë për cilësi dhe garë të ndershme.

Përveç dyzinave të herë pas hershme me ndeshje vendase, që raportohen nga institucionet europiane si të dyshuara për trukime rezultatesh, hijet e dyshimit kanë rënë ndonjëherë edhe mbi ekipin kombëtar, i cili arriti të kualifikohej për në kampionatin Euro 2016, pas gjyqeve mbi skenat e dhunës në një stadium të Beogradit dhe 3 golave me Armeninë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG