Në Gjermani sot u arrit marrëveshja për formimin e qeverisë së koalicionit mes konservatorëve të Kancelares Angela Merkel dhe Partisë kryesore të Qendrës së Majtë. Negociatat që sollën marrëveshjen zgjatën afërsisht 24 orë, duke i dhënë fund 4 muaj pasigurie politike në ekonominë më të madhe të Europës.
Marrëveshja mes Bashkimit Demokristian, Bashkimit Social-Kristian dhe Social Demokratëve nuk pritet të sjellë përfundimin e menjëherëshëm të ngërçit politik që pasoi zgjedhjet e 24 shtatorit. Një deputet i Social Demokratëve e vlerësoi marrëveshjen duke shtuar se palët do të diskutojnë aspekte të tjera të koalicionit, sidomos në lidhje me ndarjen e ministrive.
Konservatorët e Kancelares Merkel bënë lëshime të mëdha ndaj Social Demokratëve që të arrinin më në fund në një marrëveshje për krijimin e qeverisë së re pas katër muaj paqartësish.
Udhëheqësi i Social Demokratëve Martin Schultz tha se marrëveshja e arritur nënkupton një drejtim të ri për Bashkimin Evropian.
Facebook Forum