Agjensia e lajmeve Associated Press, njoftoi se zyrtarë të lartë rusë dhe amerikanë u përplasën publikisht sot në Gjermani, për çështjen e ngritjes së akuzave në SHBA ndaj 13 shtetasve rusë që komplotuan për të përçarë procesin zgjedhor amerikan të vitit 2016.
H.R. McMaster, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Donald Trump, tha në Konferencën e Sigurisë të Mynihut se akuzat e ngritura nga qeveria federale tregojnë se "Shtetet e Bashkuara po aftësohen gjithnjë e më shumë në gjurmimin e origjinës së këtij spiunazhi dhe kësaj ndërhyrje".
"Siç mund ta shikoni nga akuza e FBI-së, evidenca është tashmë vërtet e padiskutueshme dhe e disponueshme për publikun", i tha zoti McMaster një delegati rus të pranishëm në konferencë.
Vetëm pak minuta më parë, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov i pati hedhur poshtë akuzat duke i quajtur "broçkulla".
Kur u pyet për të komentuar për akuzat, zoti Lavrov tha: "Nuk kam ndonjë përgjigje. Mund të shkruhet çfarëdolloj gjëje dhe pastaj shohim se si këto akuza shumëfishohen dhe deklaratat shumëfishohen".
Të dy zyrtarët folën njëri pas tjetrit përpara një audience të përbërë nga udhëheqës botërorë, zyrtarë të mbrojtjes dhe diplomatë, duke bërë komente të natyrës më të përgjithshme. Por, të dyve iu drejtuan menjëherë pyetje të drejtpërdrejta për akuzat e ngritura në SHBA, si dhe për çështjen më të përgjithshme të sulmeve kibernetike.