Lidhje

Bisedimet me Greqinë, përplasje Meta-Bushati


Në Shqipëri presidenti Ilir Meta njoftoi sot se i ka kthyer pas Ministrisë së Jashtme kërkesën për autorizimin për dhënien plotfuqisë për grupin që do të negociojë me Greqin marrëveshjen e re për detin. Presidenti shpjegoi se sipas tij kërkesa nuk ishte paraqitur në respekt të Kushtetutës dhe përcaktimeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje. Ministria e Jashtme reagoi duke shpjeguar se letrës së presidentit do t’i përgjigjet në mënyrë institucionale.

Ndërsa gjatë ditës bëri publike përgjigjen që i kishte kthyer ministrisë së Jashtme për kërkesën e saj për të pajisur me plotfuqi grupin që do të negociojë marrëveshjen e detit me Greqinë, presidenti Ilir Meta doli më pas në një konferencë të posaçme shtypi për të sqaruar personalisht situatën e krijuar.

Bisedimet me Greqinë, përplasje Meta-Bushati
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:29 0:00

Zoti Meta theksoi disa herë se qëndrimi i tij do të jetë i bazuar vetëm në Kushtetutën dhe vendimin e posaçëm të Gjykatës Kushtetutese për çështjen e detit me Greqinë, kur rrëzoi në 2010 marrëveshjen e mëparshme: “Kushtetuta dhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje janë, jo vetëm për Presidentin e Republikës, por për të gjitha institucionet shqiptare që përfshihen në këtë proces, vija e kuqe e detyrueshme për zbatim”.

Sipas presidentit janë të paktën tre momente të cilat në kërkesën e ministrisë së Jashtme nuk përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore: fakti që objekti i kërkesës nuk është qartësisht i përcaktuar dhe nuk shoqërohet me hartat dhe një projektmarrëveshje, mungesa e emrave të negociatorëve dhe jo vetëm institucionet nga të cilat do të përzgjidhen, si dhe nevoja për një përcaktim më të qartë të metodologjive mbi të cilat do të zhvillohen negociatat. “Presidenti nuk mundet kurrësesi të firmosë një letër të bardhë dhe njëkohësisht edhe me disa probleme të cilat kanë nevojë të saktësohen sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sikurse është bërë tashmë publike dhe letra dhe përgjigja që Institucioni i Presidentit i ka dërguar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, u shpreh zoti Meta.

Presidenti Meta përsëriti disa herë se ishte detyruar të fliste publikisht për të evituar keqkuptimet dhe spekullimet, aq më tepër kur siç tha dhe ai bëhet fjalë për një çështje delikate dhe që kërkon një zgjidhje të qëndrueshme: “Më vjen keq për këtë debat dhe për këto sqarime që më duhet të jap përpara jush. Por, nuk mund të bëhem pjesë e asnjë cënimi të Kushtetutës, asnjë shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e asnjë bashkëfajësie, edhe pa dashje me cilindo, i cili nuk dëshiron, ose i lexon ndryshe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje”.

Ministria e Jashtme reagoi menjëherë duke u shprehur se po shqyrton letrën e Presidentit dhe se çështjeve të ngritura prej tij do t’i përgjigjet në rrugë institucionale. Ministri, shpjegoi zëdhënësja e tij, “është i angazhuar për të vijuar bisedimet e konsultimet e nisura me Presidentin e Republikës për të gjitha çështjet me interes për këtë proces”, duke saktësuar se bëhet fjalë për “një proces kompleks, i cili kërkon qetësi, maturi, institucionalizëm dhe jo projektimin e një anormaliteti që nuk ekziston”, përfundon deklarata e ministrisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG