Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi tre burgime të përjetshme për tre nga autorët e akuzuar për vrasjen e pjesëtarit të Forcave Speciale RENEA, Ibrahim Basha si dhe 113 vite burg për tetë të pandehurit e tjerë.
Që të gjithë të pandehurit janë nga fshati Lazarat i Gjirokastrës ku më 25 qershor të vitit 2015 oficeri i Forcave Speciale Shqiptare Ibrahim Basha u qëllua në detyrë gjatë një operacioni në hyrje të këtij fshati dhe humbi jetën, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën.
Në pretencën e Prokurorit të Krimeve të Rënda dënimi me burgim të përjetshëm është kërkuar sot për Arbjon Alikon, Elvis Boçian dhe Borjan Boçian. Arbjon Aliko ka marrë një tjetër dënim nga Gjykata e Krimeve të Rënda pak kohë më parë me 13 vite burg. Gjykata e Krimeve te Renda e kishte dhënë vendimin për Alikon dhe katër anëtarët e grupit “Lazarati” të akuzuar për ngjarjet në Lazarat në 2014 ku një grup i armatosur kundërshtoi me armë për disa ditë ndërhyrjen policore që synonte ti jepte fund kultivimit masiv të marijuanës.