Lidhje

Richard Gates pranon fajësinë


Richard Gates, ish këshilltar i lartë gjatë fushatës elektorale të presidentit Trump dhe ndihmës i afërt i kryetarit të ekipit elektoral Paul Manafort, pranoi fajësinë për akuzat e ngritura nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller në kuadër të hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Pranimi i fajësisë shihet si një sinjal se ai mund të ketë rënë dakord të bashkëpunojë me prokurorin e posaçëm Mueller në kuadër të hetimeve. Një ditë më parë juria në Virxhinia ngriti 32 akuza për shmangie taksash dhe mashtrime bankare, për Richard Gates dhe Paul Manafort.

Akuzat e reja iu shtuan atyre të mëparshme për pastrim parash dhe mosregjistrim si agjentë të huaj, në lidhje me punën e tyre për politikanë pro-rusë në Ukrainë.

Zoti Gates bëhet kështu bashkëpunëtori i tretë i ish kampit Trump që pranon fajësinë për akuza penale dhe bie dakord të bashkëpunojë me hetimin e prokurorit të posaçëm Mueller, i cili po përpiqet të gjejë nëse ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis ekipit Trump dhe Rusisë gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Ish këshilltari i sigurimit kombëtar, Michael Flynn dhe ish këshilltari i politikës së jashtme të fushatës Trump, George Papadopoulos, vitin e kaluar pranuan fajësinë se kishin gënjyer FBI-në lidhur me ndërveprimet e tyre me zyrtarët rusë.

Zoti Manafort, i cili ka refuzuar të deklarohet fajtor, akuzohet se me ndihmën e zotit Gates, ka pastruar mbi 30 milionë dollarë përmes llogarive të fshehta në parajsa fiskale dhe se “e ka përdorur pasurinë e tij jashtë vendit për të mbështetur financiarisht një jetesë luksoze në Shtetet e Bashkuara, pa paguar taksa për këto të ardhura”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG