Çmimet e larta të karburantit dhe rënia në ekonominë e tij, sollën pakësimin e shitjeve të fuoristradave (të njohura si SUV) në Shtetet e Bashkuara në mesin e viteve 2000, në një kohë kur konsumatorët po preferonin makina më të vogla, më të përballueshme, disa edhe me teknologji të re elektrike. Por, tani makinat me katër rrota aktive kanë bërë një rikthim në treg.
Çelësi për një biznes të suksesshëm është t'u ofrosh klientëve atë që duan. Prodhuesit në Panairin e Makinave në Çikago thonë se ajo që duan konsumatorët janë makinat e tipit fuoristradë apo SUV.
"2017 ishte një vit rekord për shitjet e SUV-ve për Ford-in. Kemi shitur pothuajse 800,000 makina të tilla në vetëm një vit".
Dan Jones është Menaxher i Komunikimit të kompanisë Ford për Amerikën e Veriut.
"Ne aktualisht e kemi rritur portofolin e SUV-ve me 25 për qind në katër vitet e fundit, kështu që të gjitha shenjat tregojnë se modelet e SUV-ve të Fordit po lulëzojnë dhe ne do të realizojmë të ardhura nga ky sukses".
Fordi nuk është i vetëm.
"Kemi rritur me 15 përqind prodhimin e kamionëve dhe SUV-ve".
Tiago Castro është drejtor i kamionëve dhe automjeteve komerciale të kompasinë Nissan. Promovimi i SUV-së Rogue nga kompania e tij që shfaqet në filmin "Star Wars", vjen në një kohë kur modeli, disa versione të së cilit të pajisura me disa karakteristika të ngarjes pa shofer, është një nga më të shiturit për Nissanin.
"Shitëm mbi 400,000 njësi të modelit Rogue vitin e kaluar", thotë zoti Castro.
"Makinat SUV janë shumë të kërkuara."
Trevor Dorchies është një menaxher për markat e SUV-ve në kompaninë Chrysler / Fiat, të cilat nuk ishin vetëm në ekranin statik të Panairit të Makinave në Çikago ... klientët e mundshëm patën mundësinë për t’i ngarë ato në një korsi me pengesa duke provuar performancën e tyre në një terren sfidues.
"Unë mendoj se çmimet e gazit, aty ku janë tani, kanë ndihmuar në shitjet e markave Jeep, Grand Cherokee dhe Durango. Benzina e lirë do të thotë se njerëzit duan të ngasin një makinë më të madhe", thotë menaxheri Dorchies.
"Një gjë që ka ndryshuar me të vërtetë vitet e fundit është konkurrenca e performancës së karburantit të SUV-ve në krahasim me makinat e zakonshme", thotë zoti Jones.
Shitjet e makinave të tipit Sedan kanë rënë në Shtetet e Bashkuara me më shumë se 30 për qind ndërsa konsumatorët preferojnë më shumë SUV-të. Por zoti Jones thotë se nevojat në zhvillim dhe shijet e konsumatorëve janë po aq faktorë të rëndësishëm sa edhe çmimet e karburantit.
"Brezi që u rrit në fillim të shekullit, grupi më i madh i konsumatorëve, ka hyrë në fazën ku ka fëmijë, ata kanë filluar të kenë pak më shumë para, dhe preferojnë makina me sedilje më të larta dhe me rrota aktive, kështu që SUV-të kanë filluar të shiten shumë".
Ndërkohë që prodhuesit e makinave rikthejnë dhe zhvendosin linjat e prodhimit për t’ju pëgjigjur rritjes së kërkesës për SUV-të, Shoqata Kombëtare e Tregëtisë së Automobilave parashikon se shitjet e përgjithshme të automjeteve të reja për vitin 2018 mund të bien.
Facebook Forum