Lidhje

Rizgjim i stalinizimit në Rusi


Vendimi i fundit i Rusisë për të ndaluar filmin satirik “Vdekja e Stalinit” ka ngjallur një debat të ashpër në vend lidhur me trashëgiminë e diktatorit, që ishte në pushtet nga viti 1929 deri kur vdiq në vitin 1953. Një sondazh i opinionit publik vitin e kaluar, e kurorëzonte Josif Stalinin si figurën historike më të jashtzakonshme të vendit, megjithëse ai është përgjegjë për vdekjet e miliona vetëve. Siç njofton korrespondenti Henry Ridgwell, disa në Rusi argumentojnë se krimet e Stalinit kundër njerëzimit duhet të gjykohen duke pasur parasysh edhe arritjet e tij për ish-Bashkimin Sovjetik.

Tmerret e Gulagut dhe aspekte të tjera të historisë sovjetike nuk janë tema të lehta për t’u mësuar të rinjve në Rusinë bashkëkohore.

Muzeu Shtetëror i Gulagut në Moskë synon të paraqesë përmasat e tragjedisë dhe historitë individuale. Gjithkush që konsiderohej “armik i popullit”, që nga autorët e krimeve të vogla deri tek të burgosurit politikë, dënoheshin me punë të detyruar.

“20 milionë vetë u dërguan në kampe përqendrimi. Mbi një milionë u vranë dhe gjashtë milionë u dëbuan ose u zhvendosën me forcë”, thotë drejtori i këtij muzeu, Roman Romanov.

Shtypja arriti kulmin nën Josif Stalinin, i parë si idhull nga shumë vetë, pasi udhëhoqi Bashkimin Sovjetik drejt fitores ndaj Gjermanisë Naziste, por i konsideruar përgjegjës për vdekjen e miliona bashkëpatriotëve të tij.

“Kjo nuk ishte katastrofë natyrore. Ishte një krim i planifikuar me kujdes nga shteti kundër popullit. Dhe tani disa njerëz nuk duan ta pranojnë këtë ide, sepse nuk u pëlqen ta pranojnë një gjë të tillë për vendin e tyre dhe qeverinë e tyre… Çdo vit rritet pakënaqësia për të studiuar këtë temë, sepse ajo pengon lartësimin e historisë së periudhës sovjektike”, thotë Nikita Petrov, nënkryetar i Grupit të së Drejtave të Njeriut “Kujtesa”.

Që nga monumentet e deri tek pllakat përkujtuese, kritikët thonë se nostalgjia për Stalinin po përshkon jetën e përditshme. Një autobus privat në Shën Petërburg u ble nga një bloger i ri rus, me fonde të mbledhura në internet. Ai mohon se po i ngre lavdi historisë sovjetike.

“Megjithëse stalinizmi ishte padyshim mizor, pa këtë shtypje dhe këtë numër tronditës viktimash, nuk do të kishte pasur transformim të qytetërimit të vendit: transformimi nga një vend rural në një vend industrial, nga i prapambetur ekonomikisht në të zhvilluar”, thotë blogeri Victor Logonov.

Historianët në Museun e Gulagut thonë se brezave të rinj nuk u mësohet realiteti i regjimit të Stalinit.

“Ka njerëz që kanë qenë në kampe përqendrimi që janë ende gjallë. Me duket sikur është krijuar një hendek mes nesh. Me programet në muzeumin tonë, ne përpiqemi të ngremë një ‘urë të vogël’ mes brezave”, thotë zoti Romanov.

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka quajtur Stalinin një ‘figurë komplekse’.

Ai inauguroi një monument tetorin e kaluar që nderonte viktimat e shtypjes së kohës së Stalinit, duke paralajmëruar se ‘kjo e kaluar e tmerrshme nuk duhet të fshihet nga kujtesa historike e Rusisë”.

Por kritikët e akuzojnë atë për cinizëm dhe pretendojnë se liria politike dhe historia po vihen edhe një herë në shënjestër në Rusinë moderne.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG