Lidhje

Tiranë: Program për tërheqjen e diasporës në mes të valës së re emigruese


Qeveria publikoi sot projektin “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë”.

Shqipëri: Projekt për angazhimin e diasporës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:53 0:00

Projekti përpiqet të mbledhë ndihmesat e emigracionit dhe diasporës shqiptare në mëkëmbjen e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.

Por studiues të pavarur të ekonomisë janë skeptikë për këto nisma, ndërkohë që realiteti, sipas tyre, shfaq tregues krejt të kundërt.

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, tha sot se “aktualisht gjysma e popullatës shqiptare është në emigracion dhe një numër kaq i madh shqiptarësh ka në gjirin e vet edhe një shtresë cilësore, që mund të kthejë sytë nga investimi në Shqipëri”.

Ai tha se programi ngjall shpresa dhe se shqiptarët jashtë vendit janë një pasuri e pashfrytëzuar e kombit shqiptar.

Por drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi thotë se zhvillimi më pozitv mbetet vetëm solidariteti njerëzor dhe remitancat, ose paratë që emigrantët u sjellin të familjarëve në Shqipëri, duke iu siguruar mbijetesën në këtë kohë krize.

“Kjo faturë e mbijetesës me anën e remitancave u shtrenjtua më tej tani që qeveria shkurtoi 20 mijë vetë nga listat e asistencës sociale” - tha ai.

Programi zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin IOM dhe financohet nga Kooperacioni Italian dhe agjenci të tjera italiane, nën angazhimin e Ministrisë së Jashtme të Italisë.

Ambasadori Italian në Shqipëri, Alberto Kutilio tha se kthimi në atdhe i personave më kapacitete shkencore, dhe financiare si dhe me plane biznesi për investime është me rëndësi të madhe për të dy anët e Adriatikut.

“Edhe pse bizneset e shqiptarëve mund të duken biznese të vogla ajo janë tepër të rëndësishme dhe duhen mbështetur, shumë prej tyre janë shkolluar dhe po arsimohen në Itali, ndërkohë që shumë të tjerë prej tyre sjellin qindra mijëra euro remitanca kesh në Shqipëri” - tha ambasadori Kutilio.

Projekti i fundit përfshin studentë me rezultate të shkëlqyera në Itali dhe që mund të mbështeten nga shteti shqiptar për të vënë në jetë idetë e tyre të biznesit.

Këtu do të përfshihet edhe gjithë komuniteti shqiptar në Itali, fillimisht si projekt pilot nga ana italiane.

Brenda këtij mujai do të hapet Agjencia Kombëtare e Diasporës. Ndërkaq në parlament pritet të kalojë ligji për Diasporën.

Në qeveri pritet të miratohet Fondi për Zhvillimin e Diasporës, që do të ketë të bëjë me investimet e diasporës në Shqipëri.

Studiuesit pohojnë se në fillimet e tranzicionit emigruan fuqi e lirë punëtore dhe e pakualifikuar, aktualisht po emigron masivisht pjesa më e shkolluar, më e re dhe më e përgatitur e shoqërisë, madje edhe me kursimet e familjeve të tyre.

Kushtet e jetesës në Shqipëri sa vijnë e keqësohen dhe klima e të bërit biznes është rënduar me kalimin e kohës nga pasiguria, taksat, korrupsioni, kriminaliteti dhe rryshfetet, dhe sidomos nga mosfunksionimi i shtetit ligjor, pohojnë ata, gjë që ilustrohet me faktin që në 5 vitet e fundit Shqipëria nuk ka tërhequr asnjë investim të huaj.

Në kushtet kur lëvizjet demografike janë në kahjen e daljes, aq më pak mund të pritet që vërtet ekonomia shqiptare të mund të tërheqë investime nga diaspora e saj, e integruar më së miri në shtete të tjera, thanë analistët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG