Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar njoftuan të hënën se një autokolonë me ndihma humanitare u fut në zonën e rrethuar të Ghoutas lindore në Siri që ndodhet nën kontrollin e rebelëve.
Sipas Kryqit të Kuq autokolona me 46 kamionë transportonte ushqime për 27,500 njerëz si dhe furnizime mjekësore, ndërkohë që zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara njoftoi se "shumë prej furnizime shëndetësore që mund të shpëtonin jetë nuk ishin lejuar të ngarkoheshin".
Autokolona e së hënës është e para që lejohet të hyjë në Ghoutas lindore prej gati tre javësh.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kërkoi një armëpushim 30-ditor në të gjithë Sirinë me qëllim shprëndarjen e ndihmës tek popullsia civile, përfshirë 400 mijë vetë që ndodhen në Ghoutas lindore. Por edhe pse ka kaluar më shumë se një javë prej miratimit të rezolutës, ka pak shenja për hyrjen në fuqi të armëpushimit.
Në të njëjtën kohë Rusia, e cila mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad, njoftoi vendimin për një ndalim të përditshëm të luftimeve prej pesë orësh.
Rusia së bashku me qeverinë siriane kanë akuzuar rebelët se kanë penguar civilët që të largohen nga periferia e Damaskut.
Rebelët i kanë mohuar këto akuza duke thënë se pala pro-qeveritare ka vazhduar të godasë Ghoutan lindore dhe se njerëzit kanë frikë se çfarë mund t’u ndodhë nëse largohen nga zona që ndodhet nën kontrollin e opozitës prej katër vitesh.
Sipas observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Britani së fundmi forcat qeveritare kanë rimarrë një të tretën e Ghoutas lindore. Në më shumë se dy javë luftime që kanë përfshirë edhe sulme me raketa janë vrarë rreth 700 civilë.
Të dielën Bashar al-Assadi bëri të ditur se ofensiva do të vazhdojë, edhe pse udhëheqësit amerikanë dhe britanikë e akuzuan atë për krijimin e një fatkeqësie humanitare.
Facebook Forum