Lidhje

SHBA: Mbetet i paqartë fati i imigrantëve të ardhur si fëmijë


Fati i qindra-mijëra imigrantësh të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara mbetet i pavendosur sot, një ditë pas një afati që kaloi pa asnjë veprim nga ana e Kongresit ose Shtëpisë së Bardhë. Bëhet fjalë për të rinj që janë sjellë në Shtetet e Bashkuara që kur ishin fëmijë nga prindërit e tyre.

Ata që po vuajnë pasojat e mosveprimit protestuan në Uashington kundër mungesës së përparimit për të shfuqizuar vendimin e Presidentit Trump për t’i dhënë fund politikës së ish-Presidentit Barack Obama që i mbronte ata nga deportimi, të njohur si DACA.

"Jemi lodhur duke pritur për bisedimet e qeverisë. E caktuan këtë datë dhe ne jemi ende në pritje, ende po luftojmë që t’i bëjmë të marrin një vendim dhe ata nuk po bëjnë asgjë për ne”, thotë Aida Capos, një nga demonstrueset.

"Megjithëse e dimë që Kongresi mund të mos bëjë shumë, ne jemi këtu për drejtësi, jemi ngritur për të drejtat e njeriut, jo vetëm të drejta që duhet siguruar me ligj: ne jemi të barabartë pavarësisht nga gjinia, ngjyra, nga vijmë dhe çfarë historie kemi”, thotë një demonstrues tjetër, Carlos Ryes.

Shtëpia e Bardhë po fajëson Kongresin që nuk veproi për çështjen e DACA-s.

Por demokratët fajësojnë Presidentin Trump dhe udhëheqjen republikane që nuk arritën të miratonin asnjë paketë imigracioni në Senat dhe udhëheqësin e Dhomës së Përfaqësuesve që nuk e hapi këtë çështje për diskutim.

700 mijë përfituesit e DACA-s nuk janë në rrezik të menjëhershëm dëbimi sepse Gjykata e Lartë nuk pranoi të shprehej për një vendim të një gjykate të nivelit më të ulët që e bllokon shfuqizimin e asaj politike nga Shtëpia e Bardhë.

Gjykata e Lartë nuk pritet ta marrë këtë çështje për diskutim së shpejti dhe kongresi nuk duket se ka ndonjë nxitim që të miratojë ndonjë legjislacion për këtë kategori imigrantësh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG