Lidhje

Tiranë: Shkarkohet komisioneri publik Heral Saraçi


Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi komisionerin publik Heral Saraçi të hënën, pas një hetimi disiplinor, nga dolën shkelje të tij në detyrën e nisur 9 muaj më parë.

Procedimi u nis nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, sipas të cilit, Saraçi nuk bashkëpunoi me komisionerin tjetër për krijimin e një rregullorje. Një tjetër shkelje lidhej me rekrutimin e stafit.

Komisioni i disiplinës me gjyqtarët Albana Shtylla, Sokol Çomo dhe Ardian Hajdari vendosi shkarkimin e komisionerit publik Saraçi si pengues i punës së institucionit.

Zoti Saraçi nuk i pranoi shkeljet në të pesë seancat dëgjimore, dhe pas vendimit për shkarkim tha se ky ishte një veprim i padrejtë, të cilën do ta apelonte.

Por sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, shkelje në punën e tij përfshinin pengimi i mbledhjeve të komisionit dhe rekrutimi i stafit jashtë rregullave.

Saraçi tha se nuk pengoi miratimin e rregullores së brendshme të komisionerit publik ndërsa shtoi se dy afatet e lëna për miratimin e saj janë përmbushur në kohë.

Por sipas kryetarit të komisionit disiplinor, Sokol Çomo, gjatë seancave dëgjimore u provua se institucioni i Komisionerit Publik nuk ka miratuar rregulloren e funksionimit të vet për shkak të pengesave të krijuara nga Saraçi.

Në vendim thuhet se komisioneri publik nuk hartoi projekt-rregullore për funksionimin e institucionit vitin e kaluar dhe paraqiti më vonë një projekt, që binte ndesh me variantin e dakordësuar bashkë me vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

“Me veprimet dhe mosveprimet e tij, Saraçi dëmtoi rëndë veprimtarinë e Komisionerit Publik, duke rrezikuar mbrojtjen e interesit publik”, - thuhet në arsyetimin e vendimit, që zgjati mbi një orë, duke u lexuar nga kryetari i komisionit.

Komisioni tha se Saraçi ishte përgjegjës për rekrutimet e personelit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe të Komisionerit Publik, ku asnjë nga punonjësit e Komisionerit Publik nuk kishte ende kontrata të rregullta pune.

“Me veprimet dhe mosveprimet e tij, komisioneri Saraçi, ka shkaktuar vonesa të pajustifikuara në rekrutimit e stafit, duke shkaktuar kaos në institucionin e Komisionerit Publik” - thekson vendimi.

Por zoti Saraçi tha se do ta kundërshtojë këtë vendim si të padrejtë. “Unë ende nuk e di se çfarë ligji kam shkelur. Vakuumi ligjor solli përplasjet dhe vonesat, për të cilat akuzohem unë” - shtoi ai.

Detyrën e zotit Saraçi pritet ta marrë një prej komisionerëve zëvendësues të zgjedhur tashmë nga Parlamenti i Shqipërisë. Komisioneri Publik është një ndër tre institucionet e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG