Lidhje

Vlerësime dhe kritika për të emëruarën e re të CIA-s


Gruaja e zgjedhur për t’u bërë drejtuesja e parë femër e agjencisë amerikane të spiunazhit duket se po tërheq vëmendje të madhe, duke marrë lavdërime nga shumë njerëz në komunitetin e zbulimit, por edhe duke ngjallur dyshime nga disa ligjvënës dhe të tjerë që vënë në pikëpyetje rolin e saj në përdorimin e taktikave, që disa thonë se mund të klasifikohen si torturë.

Presidenti Donald Trump e njoftoi në Twitter të martën emërimin prej tij të zonjës Gina Haspel në krye të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, për të zëvendësuar drejtorin e CIA-s Mike Pompeo që po largohet, pasi u emërua për të udhëhequr Departamentin e Shtetit.

((https://twitter.com/realDonaldTrump/status/97354031665662361))

“Është njeriu i duhur” u tha presidenti Trump më pas gazetarëve pranë Shtëpisë së Bardhë, ndërsa po nisej për një udhëtim në Kaliforni. “E kam njohur mirë këto kohë”.

Zonja Haspel, e cila ka shërbyer deri tani si zëvendës drejtoreshë e CIA-s, ka një eksperiencë të gjerë 30 vjecare me agjencinë, në misione drejtuese të agjencisë jashtë, në vende si Londra, si edhe në operacionet klandestine.

https://www.cia.gov/about-cia/leadership/gina-haspel.html

“I jam mirënjohëse presidentit Trump për mundësinë, dhe përulem para rolit që më ka besuar”, tha zonja Haspel në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë të martën. “Nëse konfirmohem, pres me padurim t’i jap presidentit Trump mbështetjen e jashtëzakonshme të agjencisë së zbulimit që ai ka pritur”.

"Një oficere shembullore e zbulimit"

Pompeo dha vlerësime të larta për zonjën Haspel kur e zgjodhi atë si numrin dy të agjencisë.

"Gina është një oficere shembullore e zbulimit," tha Pompeo në atë kohë. "Ajo është gjithashtu një drejtuese e provuar me një aftësi të çuditshme për të zgjidhur probleme dhe për të frymëzuar ata që ka rreth saj".

Emërimi i zonjës Haspel për të drejtuar CIA-n u forcua më tej të martën vonë, kur drejtori për Zbulimin Kombëtar, Dan Coats lëshoi një deklaratë duke e quajtur atë një "zgjedhje të fuqishme".

Zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm kanë lavdëruar pa rezerva zonjën Haspel, disa duke thënë se ajo do të sjellë një përmirësim të drejtimit të agjencisë, krahasuar me zotin Pompeo, i cili, edhe pse respektohej, shihej si shumë politik.

"CIA do të jetë më mirë tani me një profesioniste të inteligjencës si drejtuesen e saj", tha Paul Pillar, një ish oficer i lartë i CIA-s që tani punon me Universitetin “Georgetown”.

Ish zyrtarë të tjerë thonë se zonja Haspel është një zgjedhje e përkryer, ndërsa agjencia e spiunazhit dhe administrata e Trump, përballen me një klimë të trazuar të krijuar nga ndryshimet e papritura.

"Nëse duan t'i japin fund turbullirave sa më shpejt që të jetë e mundur, kanë bërë zgjidhjen e duhur duke ngritur një shkallë më lartë një zyrtare të dashur dhe të respektuar, me përvojë në agjenci", tha ish drejtori i CIA-s, gjenerali Michael Hayden për “The Cipher Brief”, një faqe interneti e fokusuar në çështjet e zbulimit dhe sigurisë. "Unë mendoj se CIA do të jetë mjaft e qetë në lidhje me këtë zgjedhje."

Ish-kolegë gjithashtu theksojnë përvojën e saj si me Rusinë, gjatë fundit të Luftës së Ftohtë, ashtu edhe në përpjekjet e anti-terrorizmit të agjencisë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregëtisë dhe Pentagon.

Disa ligjvënës të rëndësishëm janë shprehur gjithashtu në favor të emërimit të zonjës Haspel.

"Unë e njoh personalisht," tha në një deklaratë kryetari i Komisionit të Zbulimit në Senat Richard Burr. "Jam krenar për punën e saj."

"Ajo ka aftësitë e duhura, përvojën dhe gjykimin për të udhëhequr një nga agjensitë më kritike të vendit tonë," tha zoti Burr.

Haspel, "vendet e errëta" dhe torturat

Megjithatë, të tjerët kanë qenë shumë më kritikë, duke theksuar në mënyrë specifike kohën e saj të drejtimit të një burgu të CIA-s në Tajlandë, një nga disa të ashtuquajturat "vende të errëta", në të cilat mbaheshin dhe merreshin në pyetje persona të dyshuar për terrorizëm, duke i detyruar ata ndonjëherë t’i nënshtroheshin teknikave të ashpra të marrjes në pyetje.

Ka pasur gjithashtu kritika për përfshirjen e dyshuar të zonjës Haspel në shkatërrimin e provave filmike që dokumentojnë disa nga marrjet në pyetje.

"Torturimi i të burgosurve në arrest nga SHBA gjatë dekadës së fundit ishte një nga kapitujt më të errët të historisë amerikane," tha në një deklaratë të martën kryetari i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, John McCain.

"Znj. Haspel duhet të shpjegojë natyrën dhe shtrirjen e përfshirjes së saj në programin e marrjes në pyetje të CIA-s gjatë procesit të konfirmimit, "tha senatori McCain, një republikan i cili vetë është torturuar si i burgosur lufte në Vietnam. "Ligji aktual amerikan është i qartë në ndalimin e teknikave të zgjeruara të marrjes në pyetje. Çdo kandidat për drejtimin e CIA-s duhet të zotohet pa rezerva për të mbështetur këtë ndalim sipas ligjit ".

Senatori demokrat Ron Wyden, i cili shërben në Komisionin e Senatit për Zbulimin, shkoi edhe më tej:

"Biografia e zonjës Haspel e bën atë të papërshtatshme për të shërbyer si drejtore e CIA-s, "tha senatori Wyden në një deklaratë. "Emërimi i saj duhet të përfshijë transparencën e plotë në lidhje me këtë biografi, të cilin e kam kërkuar emë shumë se një vit më parë kur u emërua zëvendës drejtore".

Ka pasur tashmë një protestë nga grupet e të drejtave të njeriut.

"Askush që ka patur gisht në torturimin e individëve, nuk meriton të mbajë poste publike, le më të udhëheqë një agjenci", tha Raha Wala me organizatën Human Rights First. "Të lejosh dikë që ka patur dorë të drejtpërdrejtë në këtë program të paligjshëm, imoral dhe kundërproduktiv, është si të harrosh me dëshirë historinë e errët të vendit tonë me torturat".

Të paktën një grup, ECCHR apo Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut, ka kërkuar madje arrestimin e zonjës Haspel, duke u dhënë prokurorëve gjermanë një përmbledhje të shkurtër që pohon se ajo mbikëqyri torturën e përditshme të dy të burgosurve dhe, si zyrtare përgjegjëse, kishte autoritetin ta përfundonte këtë taktikë.

"Vetëm ajo kishte përgjegjësinë për t'i dhënë fund torturës, por nuk e bëri këtë," tha në qershor të vitit 2017 Sekretari i Përgjithshëm i ECCHR, Wolfgang Kaleck. "Hapi tjetër do të ishte lëshimi i një urdhër arresti për të."

((https://www.ecchr.eu/en/our_work/international-crimes-and-accountability/u-s-accountability/germany.html))

Ka patur pyetje për atë se si do të ndikojë reputacioni i zonjës Haspel si e ashpër ndaj terrorizmit nëse ajo konfirmohet në këtë post.

"Nën administratën Trump ne po shohim një rritje në misionet dhe operacionet e udhëhequra nga CIA", tha Rachel Stohl, drejtor menaxhues i Qendrës Stimson.

"Ka pasur një rritje të përdorimit të CIA-s për sulmet me dronë", tha Stohl. "Duke pasur parasysh biografinë e Gina Haspel, ekspertizën dhe ekspertizën e saj operacionale, ndoshta do të shohim që kjo tendencë të vazhdojë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG