Lidhje

Shtëpia e Bardhë mohon njoftimet për shkarkimin e këshilltarit McMaster


Shtëpia e Bardhë mohoi një njoftim të gazetës Washington Post, ku thuhej se Presidenti Trump ka vendosur ta zëvendësojë këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, gjeneralin H.R. McMaster.

Të enjten vonë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, shkroi në Twitter se njoftimet për largimin e zotit McMaster nuk janë të vërteta.

Gazeta Washington Post tha se heqja e Gjeneralit McMaster është pjesë e një ndryshimi të madh në nivelet më të larta të administratës, dhe kjo ka shkaktuar frikë se nga Shtëpia e Bardhë mund të ketë largime të tjera.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sanders, tha se Presidenti Trump dhe Gjenerali McMaster kanë një marrëdhënie të mirë pune dhe se në Këshillin e Sigurisë Kombëtare nuk ka ndryshime.

Megjithatë, më herët të enjten zonja Sanders tha se ndryshime mund të ndodhin në çdo moment:

"Me kalimin e kohës në çdo administratë ka ndryshime të përparësive, për realizimin e të cilave duhet përqendrim dhe njerëz të ndryshëm. Prandaj, herë pas here mund të ketë ndryshime. Megjthatë, Presidenti është i angazhuar të sigurojë njerëzit e duhur, në vendin e duhur në kohën e duhur", tha zëdhënësja.

Njoftimi për largimin e mundshëm të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, pason shkarkimin e papritur të Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson disa ditë më parë.

Të enjten, duke folur me gazetarët, presidenti Trump la të kuptohej se priten ndryshime të tjera: "Gjithmonë do të ketë ndryshime. Besoj se edhe ju doni të shihni ndryshime. Unë dua të shoh mendime të ndryshme".

Nëse Presidenti Trump vendos ta shkarkojë, gjenerali McMaster do të bëhej Këshilltari i dytë i Sigurisë Kombëtare i larguar që kur zoti Trump mori detyrën më 20 janar të vitit të kaluar.

I pari, Michael Flynn, u shkarkua disa javë pas marrjes së detyrës në vitin 2017, pasi kishte gënjyer zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë rreth kontakteve të tij me rusët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG