Lidhje

SHBA: Planet për takimin Trump-Kim nuk kanë ndryshuar


Një tronditje e fortë në kabinetin e Presidentit amerikan Donald Trump nuk i ka prishur planet për një takim të pashembullt mes Presidentit dhe udhëheqësit suprem të Koresë së Veriut, sipas Departamentit të Shtetit. Por ekspertët e politikës së jashtme paralajmërojnë se është e nevojshme të tregohet kujdes. Shërbimi Korean i Zërit të Amerikës foli me një ish-analiste të CIA-s për çështjet koreane, mbi takimin që mund të sjellë shumë të papritura.

Ndërkohë që Pheniani nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare që konfirmon bisedimet mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, Departamenti i Shtetit thotë se planet për takimin nuk kanë ndryshuar.

"Kjo është marrëveshja që Kim Jong Un-i i ofroi Koresë së Jugut. Ky informacion na u prezantua ne dhe ne kemi besim të plotë se çështja e takimit do të ecë përpara", tha Heather Nauert, zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.

Presidenti Trump ka rënë dakord të takohet me Kim Jong Un për bisedime deri në fund të muajit maj. Por me largimin e diplomatit më të lartë amerikan Rex Tillerson, ai që do ta zëvendësojë në këtë detyrë, drejtori i CIA-s Mike Pompeo do të ketë vetëm disa javë për t'u përgatitur në një kohë kur seancat dëgjimore për miratimin e tij pritet të zhvillohen në prill.

Sipas ish-analistes së CIA-s Sue Mi Terry koha nuk është e mjaftueshme.

"Do të jenë negociata të ndërlikuara, mendoj se kemi nevojë për kohë për të studiuar çështjen, duhet kohë për presidentin Trump që të studiojë çështjen në tërësi", thotë Sue Mi Terry e Qendrës për Studime Stragjike dhe Ndërkombëtare.

Zyrtari më i lartë ushtarak admirali Harry Harris, duke folur përpara komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura paralajmëron se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë vigjilente.

"Kurrë nuk kemi qenë në një pozitë kur një president, presidenti ynë, të jetë takuar me një udhëheqës të Koresë së Veriut. Nuk mund të parashikoj të ardhmen, vetëm se mendoj që duhet të shkojmë drejt kësaj me sytë hapur".

Takimi i planifikuar vjen pas përpjekjeve njëvjeçare të presidentit Trump për të ushtruar presion ndaj Koresë së Veriut.

"Fushata e presionit të fortë e solli regjimin Kim Jong Un-it në tryezën e bisedimeve. Tani jemi në një pikë kur mund të fillojmë të bisedojmë, për të pasur bisedime", thotë Heather Nauert, zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.

Por sipas ekspertëve nëse bisedimet dështojnë, kjo mund t’i çojë Shtetet e Bashkuara pranë një konflikti ushtarak.

"Çfarë ndodh nëse bisedimet nuk shkojnë mirë? Pastaj Trump mund të kthehet dhe të thotë: provova të angazhohem, të negocioj dhe këto dështuan. Tani duhet të shkojmë drejt një faze të dytë", thotë Sue Mi Terry e Qendrës për Studime Stragjike dhe Ndërkombëtare.

Të enjten ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut zhvilloi një vizitë në Suedi mes spekulimeve se vendi skandinav mund të jetë vendngjarja e samitit historik mes Presidentit Donald Trump dhe Kim Jong Un-it.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG