Nëntë hakerë iranianë që punonin në emër të qeverisë iraniane, janë akuzuar nga prokurorët amerikanë për kryerjen e një fushate kibernetike një vjeçare për të vjedhur kërkime të vlefshme dhe të dhëna të tjera në pronësi të qindra universiteteve amerikane dhe të huaja, kompanive private si dhe qeverive dhe institucioneve joqeveritare .
Akuzat, të shpallura nga zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit në Uashington, përfaqësojnë një nga komplotet më të fundit dhe më të mëdha të Iranit, të zbuluara nga autoritetet amerikane gjatë viteve të fundit. Ato vijnë ndërsa presidenti Donald Trump, po shton presionin mbi Teheranin lidhur me aktivitetet e tij bërthamore dhe terrorizmin.
Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein tha se fushata e hakerëve, e cila filloi në vitin 2013 dhe vazhdoi së paku deri në dhjetor 2017, kompromentoi sistemet kompjuterike të 320 universiteteve në 22 vende, duke përfshirë 144 universitete amerikane dhe rezultoi me vjedhjen e të dhënave masive kërkimore që i kanë kushtuar shkollave rreth 3.4 miliardë dollarë.
Sulmi kibernetik u krye nga hakerat që punonin për Institutin Mabna, një kompani me bazë në Teheran e themeluar nga dy autorë të krimit që janë ende të lirë.
"Institucionet akademike janë objektiva kryesore për kriminelët kibernetikë të huaj", tha zoti Rosenstein. "Universitetet mund të lulëzojnë si tregje të ideve dhe motorë të kërkimeve dhe zhvillimit vetëm nëse puna e tyre mbrohet nga vjedhja".
Sipas padisë të paraqitur sot në një gjykatë madhore, universitetet e huaja ishin të vendosura në Australi, Kanada, Kinë, Danimarkë, Finlandë, Gjermani, Irlandë, Izrael, Itali, Japoni, Malajzi, Holandë, Norvegji, Poloni, Singapor, Korenë e Jugut, Spanjë, Suedi, Zvicer, Turqi dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas aktpadisë, Instituti Mabna u themelua në vitin 2013 nga hakerët Gholamreza Rafatnejad dhe Ehsan Mohammadi me synimin për të ndihmuar universitetet iraniane dhe organizatat e tjera kërkimore të kishin qasje përmes vjedhjes në punët kërkimore shkencore jo-iraniane.
Facebook Forum