Aktorja e filmave pornografikë, Stormy Daniels, pritet të flasë sot rreth marrëdhënies me Presidentin Donald Trump, në emisionin “60 minuta” të kanalit CBS. Presidenti Trump ka mohuar të kenë patur marrëdhënie që sipas zonjës Daniels ndodhi në vitin 2006. Ajo është një nga tre gratë që gjenden tashmë në procese gjyqësore rreth marrëdhënieve me zotin Trump, të cilat mund të shkaktojnë shpërqëndrim të mëtejshëm për Shtëpinë e Bardhë, të përfshirë në turbullira politike në disa fronte.
Njihet si Stormy Daniels, por emri i saj i vërtetë është Stephanie Clifford.
Ajo kërkon shfuqizimin e një marrëveshjeje të nënshkruar me një avokat të zotit Trump ku i ndalohet të tregojë rreth marrëdhënies.
“Dëshiron që t’i tregojë popullit amerikan historinë e saj, versionin e saj të fakteve”, thotë avokati i saj, Michael Avenatti.
Edhe ish-modelja e revistës Playboy, Karen McDougal, ka filluar një proces gjyqësor ku kërkon mundësinë që të flasë rreth marrëdhënies së saj 10-mujore me zotin Trump, të filluar në vitin 2006.
Presidenti Trump përballet edhe me një padi për shpifje nga Summer Zevos, ish-pjesëmarrëse në spektaklin e drejtuar prej tij, “The Apprentice”. Ajo e ka akuzuar zotin Trump për qasje të padëshiruara seksuale në vitin 2007.
Gjatë fushatës presidenciale në vitin 2016, zoti Trump mohoi akuzat e rreth 12 grave për sjellje të papërshtatshme seksuale.
“Nuk ja kam idenë se kush janë këto gra. Nuk e di fare. Mendoj se e kuptoni, pasi më keni kuptuar prej vitesh. OK?”, deklaroi atëherë zoti Trump.
Ai fitoi presidencën pavarësisht se u bë publike kaseta e “Access Hollywood” vetëm pak javë përpara zgjedhjeve. Në kasetë pati komente të shumta vulgare për gratë, për të cilat zoti Trump kërkoi ndjesë më vonë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë është përballur me pyetje të shumta për shkak të padive gjyqësore dhe intervistave të Stormy Daniels.
“Presidenti e ka bërë të qartë drejtpërsëdrejti se asnjë nga aludimet nuk janë të vërteta”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.
Nëse paditë gjyqësore vazhdojnë, Presidenti do të përballet me sfida ligjore dhe politike.
“Me vazhdimin e proceve gjyqësore, ose duhet mohuar gjithçka duke ulur besueshmërinë, ose duhet të pranosh që pati diçka për të cilën nuk duhet folur; të dyja janë të dëmshme”, thotë David Abraham, i Universitetit të Majamit.
Zonja e Parë, Melania Trump, e shoqëroi Presidentin gjatë një vizite rishtazi në New Hampshire, por ajo nuk është prononcuar për paditë gjyqësore.
Facebook Forum