Partia Demokratike e opozitës publikoi sot disa dokumenta, që provojnë, sipas saj, përzjerjen e kryeministrit Edi Rama në manovrat e përvetësimit të pronave në bregdetin shqiptar. Një përfaqësues i opozitës deklaroi sot se dokumentat e lejes zhvillimore dhe të ndërtimit në pronën e grabitur prej Alket Hysenit, provojnë se Edi Rama është në krye të skemës mafioze për grabitjen e tokave në bregdet.
“Partia Demokratike ka dy dokumenta që provojnë se Edi Rama është pjesë e skemës mafioze për grabitjen e pronave dhe shpjegojnë përse kryeministri ka heshtur deri tani për deputetin e vet Alket Hyseni. Edi Rama, me firmën e tij, ka vendosur dy herë rresht që, në tokat në bregdet të familjes Bua, në Dhërmi, të ndërtohet resort turistik, duke mos marrë parasysh vendimin e Gjykatës për pezullimin e çdo veprimi me pronën” - tha deputeti i partisë demokratike të opozitës, Enkelejd Alibeaj.
Ai theksoi sot në një konferencë shtypi se deputeti socialist Alket Hyseni ka grabitur në bregdet 11 mijë metra katrorë tokë në bashkëpunënim me kryeministrin Edi Rama nga pronat e familjes Bua në Dhërmi. Në kohën e dhënies së lejeve për ndërtim dhe zhvillim pronat ishin pezulluar me vendim gjyqësor, ndërsa deputeti i ri Alket Hyseni drejtonte për paradoks Zyrën Kundër Pastrimit të Parave.
“Dokumenti i parë tregon se Edi Rama, si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, ka firmosur lejen për zhvillimin e kompleksit turistik dhe një vit më pas ka firmosur sërish, për dhënien e lejes së ndërtimit në këtë kompleks për mikun e tij ndërtues Gon Papuli dhe për deputetin e tij, Alket Hyseni. Është e qartë se skema mafioze e grabitjes së tokave në bregdetin ka në krye Edi Ramën dhe për bashkëpunëtor deputetin e tij Alket Hyseni” - tha zoti Alibeaj.
Deputeti socialist Alket Hyseni ishte disa vite më parë kryetar i Task Forcës për të parë tjetërsimin e pronave bregdetare nga Vlora në Butrint, dhe sipas opozitës, ai bëri pikërisht të kundërtën e detyrës, ai vetë bleu me 230 milionë lekë pronën e tjetërsuar me dokumenta të falsifikuara, duke e ditur fare mirë se ajo pronë ishte në proces gjyqësor dhe se qysh nga viti 2015 e deri sot në vazhdim Gjykata e Vlorës vendosi të pezullojë çdo veprim mbi atë pronë.
Por, edhe pas këtij vendimi gjykate, i cili është ende në fuqi, prona kaloi nga fallsifikuesi i parë, tek blerësi Alket Hyseni, e nga ky tek një ndërtue, që, PD e konsideron mik të kryeministrit, i cili u dha leje ndërtimi dhe zhvillimi mbi pronën e një familje të hershme, që endet në gjykata për të drejtat e saj.
Qeveria vendosi të pezullojë transaksionet me pronat bregdetare pas zbulimit të disa raste shkeljesh që u zbuluan në Kavajë, Rrogozhinë dhe Lezhë, për të cilat u kryen në seri arrestimesh.
Autoritetet janë shprehur se kanë nëpër duar disa cështje hetimore me abuzimet në bregdet, ku mendohet se do të bëhet turizëm elitar, ndërsa banorët e hershëm të atyre krahinave po enden gjykatave prej afro 3 dekadash.
Facebook Forum