Lidhje

Kosovë, shqetësime mbi dhunën ndaj fëmijëve


Kosovë, shqetësime mbi dhunën ndaj fëmijëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Në Kosovë, Agjencia e Statistikave tha se mbi 60 për qind e fëmijëve të intervistuar kanë pohuar përvojat e dhunës fizike dhe psikologjike brenda mjedisit familjar. Përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë shprehen të shqetësuar me këtë shkallë të përdorimit të dhunës ndaj tyre.

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve publikoi një raport së fundmi ku vlerëson se dhuna në Kosovë vazhdon të konsiderohet si metodë që shfrytëzohet për edukimin dhe disiplinimin e fëmijëve.

Në një deklaratë dërguar Zërit të Amerikës, ky koalicion thotë se dhuna dhe ndëshkimi fizik i fëmijëve në Kosovë mbetet një normë sociale e pranuar dhe e vënë në jetë nga prindërit dhe shoqëria. Situata vazhdon të mbetet mjaftë shqetësuese, thonë përfaqësuesit e këtij koalicioni duke bërë thirrje për ndërgjegjësim në shkallë kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve, për nxitjen e metodave pozitive të të qenit prind dhe të disiplinimit.

Psikologja Shqipe Vitija, thotë se dhuna e ushtruar ndaj fëmijëve shkakton pasoja të rënda në formimin e tyre, duke i nxitur edhe ata që të përdorin dhunë në të ardhmen.

“Duke filluar nga ajo që fëmija mund të ketë vetëbesim më të ultë, mund të ketë mungesë socializimi, mund të bie në proceset mësimore që do të thotë zhvillimi kognitiv i tij dëmtohet, pastaj çrregullime emocionale”, thotë zonja Vitija.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë se në zyrën e tij ka ankesa të vazhdueshme për dhunë ndaj fëmijëve. Ai propozon që të ndiqen shembujt e shteteve evropiane për rregullimin e një sistemi që mundëson zbulimin dhe trajtimin e fëmijëve që vuajnë nga dhuna.

“Ta zëmë njëra prej tyre është Holanda e cila vlerëson neglizhimin e kujdesit për fëmijët vetëm nëse është paraqitur sëmundja e kariesit te fëmijët dhe menjëherë intervenon qendra për punë sociale pastaj për t’u kujdesur dhe për të parë te familjet përkatëse se a është gjithçka në rregull dhe a gëzon fëmija përkujdesje adekuate. Mirëpo siç e dimë në Kosovë ende një sistem i tillë i përkujdesjes sistematike nuk ekziston”, thotë zoti Jashari.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 61.4 për qind e fëmijëve në Kosovë kanë pohuar të kenë qenë viktima të dhunës fizike e psikologjike brenda mjedisit familjar. Prej tyre 59 për qind kanë pësuar nga dhuna psikologjike, ndërsa 24 për qind nga ndëshkimi fizik. Ndërsa në Policinë e Kosovës, në vitin 2017 janë raportuar gjithsej 243 fëmijë viktima të formave të ndryshme të dhunës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG