Sekretari amerikan i Tregtisë Wilbur Ross njoftoi se numurimi i ardhshëm i popullsisë do të përfshijë dhe një pyetje rreth statusit të shtetësisë.
Zyra amerikane e Regjistrimit kryen regjistrimin çdo 10 vjet dhe procesi i radhës pritet të ndodhë në 2020. Afati i fundit për finalizimin e pyetjeve është e shtuna.
Zoti Ross tha në një udhëzim të hënën në mbrëmje se ai vendosi të shtonte çështjen e shtetësisë pas një kërkese të Departamentit të Drejtësisë, sipas të cilit kjo do të ishte e nevojshme për një zbatim më të mirë të ligjin që mbron të drejtat e votimit të pakicave.
Vendimi ngjalli kritika nga ata që thonë se pyetja lidhur me shtetësisë do të bëjë që njerëzit të mos marrin pjesë në regjistrim, për shkak të shqetësimeve rreth asaj se si qeveria mund ta përdorë informacionin.
Shifrat e censusit përcaktojnë numrin e vendeve që secili shtet duhet të ketë në Dhomën e Përfaqësuesve si dhe mënyrën se si qeveria federale shpërndan qindra miliarda dollarë fonde për programe të ndryshme.
Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë Xavier Becerra njoftoi se shteti do të ngrejë një padi ndaj asaj që ai e quajti një veprim "të paligjshëm".
Ish-Prokurori i Përgjithshëm amerikan Eric Holder, i cili tani shërben si kryetar i Komitetit Kombëtar demokrat të Organizimit, tha se organizata e tij do të kundërshtojë vendimin në gjykatë, duke e quajtur atë "të motivuar politikisht".
"Kjo pyetje do të ulë numrin e përgjigjeve dhe do të minojë saktësinë e numërimit, duke çuar në efekte shkatërruese dhjetë-vjeçare mbi të drejtat e votimit dhe shpërndarjen e miliarda dollarëve fonde federale", tha ai. "Duke bërë këtë pyetje, shtetet nuk do të kenë përfaqësim të saktë dhe personat e ndikuar do të humbasin fondet shtetërore dhe federale për kujdesin shëndetësor, arsimin dhe infrastrukturën", shtoi zoti Holder.
Ai tha gjithashtu se në përvojën e tij të drejtimit të Departamentit të Drejtësisë, pyetja lidhur me shtetësisë "nuk është vendimtare për zbatimin e Aktit për të Drejtat e Votimit".
Në të shkuarën regjistrimi i popullsisë përfshinte një pyetje lidhur me shtetësinë. Sipas sekretarit Amerikan të Tregtisë Wilbur Ross hera e fundit që është përfshirë ishte viti 1950, por sipas tij Zyra e Regjistrimit e bën aktualisht këtë pyetje në sondazhe të tjera që kryhen.
Zyra e Regjistrimit planifikon t'u mundësojë njerëzve t’i përgjigjen pyetjes nëpërmjet një formulari në letër, nëpërmjet internetit ose përmes telefonit. Kur njerëzit nuk përgjigjen, ekipet përgjegjës për censusin do të përpiqen t’i kontaktojnë ata personalisht.
Zoti Ross tha se një faktor që duhet marrë në konsideratë është kostoja e lartë në rastet kur e ndjekjes së çështjes nga ekipet e censusit, por sipas tij "nevoja për të dhëna të sakta lidhur me shtetësisë" është më e madhe se shqetësimet për të marrë potencialisht, më pak përgjigje.
Facebook Forum