Lidhje

Admirali Ronny Jackson emërohet si Sekretar i Çështjes së Veteranëve


Presidenti amerikan Donald Trump emëroi mjekun e tij personal si Sekretarin e ri të Departamentit të Çështjeve të Veteranëve, pas shkarkimit nga kjo detyrë të David Shulkin.

Largimi i ish-sekretarit Shulkin shënon riorganizimin më të fundit të administratës së zotit Trump.

Presidenti Trump njoftoi emërimin e admiralit Ronny Jackson në krye të Departamentit i Çështjeve të Veteranëve gjatë një postimi në Twitter si dhe falënderoi David Shulkin për shërbimin e tij.

Mjeku ushtarak Ronny Jackson u bë i njohur më herët gjatë këtij viti në një kohë kur qarkullonin pyetje rreth stabilitetit mendor të zotit Trump.

"Në mënyrë të përmbledhur, shëndeti i përgjithshëm i presidentit është i shkëlqyer. Gjatë testimit të tij fizik rezultatet kardiake ishin shumë të mira”, pati thënë gjatë një deklarate Ronny Jackson, mjek i marinës amerikane si dhe mjeku personal i Presidentit Trump.

Përpara Presidentit Trump, zoti Jackson u ka shërbyer dy presidentëve të mëparshëm. Drejtimi i Departamentit i Çështjeve të Veteranëve, i dytë më i madh i qeverisë federale, do të ishte një ndryshim i konsiderueshëm në raport me rolin aktual të tij.

Ish-sekretari David Shulkin, i emëruar gjatë administratës Obama, ishte ngërthyer prej muajsh në një betejë me një grup të emëruarish politikë, pjesë e stafit kryesor të presidentit Trump, që kërkonin shkarkimin e tij.

Por David Shulkin mund të ketë humbur mbështetjen e presidentit Trump, kur zyra e Inspektorit të Përgjithshëm për Çështjet e Veteranëve gjeti se ai kishte shpenzuar para nga fondi i taksapaguesve për një udhëtim 10 ditor në Europë me gruan e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG