Lidhje

Tiranë: Tubim i familjarëve të ndaluarve nga Kukësi para policisë


Dhjetëra familjarë të protestuesve të ndaluar nga policia si dhe banorë të Kukësit e Tiranës protestuan këtë mbrëmje para drejtorisë së policisë së kryeqytetit, duke kërkuar lirimin e njerëzve të tyre.

Protestuesit hodhën parrullat “Poshtë Diktatura” dhe “Lironi vëllezërit tanë!”.

Në tubim morën pjesë edhe veprimtarë të shoqërisë civile dhe të drejtave njerëzore.

Më pas atyre iu bashkuan edhe disa dhjetëra përkrahës dhe deputetë të opozitës.

Protesta pati edhe minuta tensioni, kur disa deputetë të opozitës u përpoqën të hynin në drejtorinë e policisë për të takuar personat e ndaluar.

Kryetari i partisë demokratike të opozitës, Lulzim Basha, në një konferencë të pazakontë të dielën në mbrëmje për mediat, i kërkoi prokurorisë dhe policisë të lirojnë banorët e Kukësit të arrestuar për protestën në Rrugën e Kombit.

“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të kuksianëve të rrëmbyer në mënyrë të paligjshme, pa urdhër arresti, në kryerje të veprës penale të heqjes së paligjshme të lirisë. Këshilltarët bashkiakë të Kukësit kanë kallëzuar penalisht policinë dhe prokurorinë e Kukësit për këtë akt kriminal” - tha ai.

Zoti Basha tha se prokurorja e përgjithshme po vepron si hetuesi politike në shërbim të Edi Ramës.

“Qytetarët e Kukësit janë në të drejtën e tyre legjitime dhe demokratike. Edi Rama po lufton për paratë e korrupsionit me të cilat po mbush xhepat e tij dhe të bandës së tij. Rama po përdor terrorin për të nënshtruar qytetarët e varfër që kërkojnë të drejtën e tyre ndërkohë që lë të lirë Habilajt dhe banda të tjera” - tha zoti Basha.

Kryeministri Edi Rama e hapi të dielën e pashkës së krishterë me një konferencë ku theksoi se një grup vandalësh kryen veprime barbare, duke ndezur zjarre gjatë protestës në Rrugën e Kombit.

“Policia bëri maksimumin duke ruajtur qetësinë, por tarifa në atë rrugë nuk do të ulet, por do të zbatohet me vendosmëri, ndërsa autorët e dhunës do të ndëshkohen sipas ligjit” - tha zoti Rama.

Policia njoftoi se ka ndaluar 23 persona për shkatërrim të pronës me zjarr dhe kundërshtim të policisë gjatë protestës në rrugën e kombit të shtunën në mesditë dhe se po kërkon një duzinë të tjerë.

Protestuesit kanë pohuar se do të vazhdojnë tubimet e tyre në Tiranë dhe në Kukës kundër taksës së rrugës dhe për të liruar njerëzit e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG