Lidhje

Apeli, “arrest shtëpie” për kryebashkiakun e Lezhës


Gjykata e Apelit në Shkodër la sot në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, por duke i hequr mbikqyrjen policore. Të njëjtin vendim gjykata dha edhe për 6 të akuzuar të tjerë, përfshirë nënkryetarin e Bashkisë, Enver Hafizi, dhe kryetarin e Qarkut Lezhë, Gjokë Ndoka. Ndërsa për dy zyrtarë të tjerë, gjykata la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Kryebashkiaku Frrokaj dhe 11 zyrtarë të tjerë në Lezhë akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën, kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.

Çështja u dërgua për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit në Shkodër nga vetë të akuzuarit të cilët kërkuan shpalljen të pafajshëm dhe ndryshimin e masës së sigurisë. Kërkesa për rishqyrtim ishte paraqitur dhe nga Prokuroria, e cila këmbënguli në rivendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Me 16 mars, gjatë operacionit policor “Ranishta 4”, policia arrestoi kryetarin e Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj së bashku me 11 zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie, ndërsa shpalli në kërkim policor edhe 11 të tjerë, të dyshuar se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën, kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare të Shëngjinit.

Arrestimi i tyre u morr pas vendimit të datës 15 mars të Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, e cila kishte vendosur masën e sigurisë përsonale “Arrest me burg” për 23 zyrtarë të administratës shtetërore dhe për shtetas të tjerë, prej të cilëve 13 u arrestuan, ndërsa 10 të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim policor.

Por, tre ditë më pas, gjatë seancës së rivlerësimit të masës së sigurisë, seancë që u zhvillua ndërkohë që qindra përsona protestonin përpara gjykatës kundër arrestimeve, i njëjti gjyqtar e zbuti masën e sigurisë, nga arrest me burg në arrest shtëpie, për 7 nga të akuzuarit, përfshirë kryebashkiakun Frrokaj dhe nënkryetarin Hafizi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG