Lidhje

Presidenti Trump kritikon median


Presidenti i SHBA, Donald Trump ndërmori sulme të reja të martën kundër rrjeteve televizive kryesore, duke thënë se ato janë "të shqetësuara për konkurrencën dhe cilësinë" nga rrjeti konservator i transmetimeve Sinclair, me të cilin fushata e tij presidenciale e vitit 2016 bëri një marrëveshje që synonte t’i jepte atij mbulim më të mirë në mediatik.

Në komentet e bëra në Twitter, zoti Trump i quajti rrjetet televizive CNN, NBC, ABC dhe CBS "The Fake News Networks" (“Rrjetet e lajmeve të rreme”), duke përjashtuar nga kritikat kanalin e tij të preferuar, Fox News. Ai shkruante se katër rrjetet televizive kryesore të SHBA "me vetëdije kanë një AGJENDË të sëmurë dhe të njëanshme".

Zoti Trump thotë se të katër rrjetet kryesore televizive janë të shqetësuara për rritjen e grupit Sinclair Broadcast, i cili zotëron 193 stacione në të gjithë vendin dhe, në pritje të një shqyrtimi nga qeveria të ligjeve anti-trust, po kërkon të blejë më shumë kanale që do ta lejonte të hynte në 70 përqind të familjeve amerikane.

Presidenti Trump shkruante se përhapësit e lajmeve të rreme në rrjetet kryesore "kanë bërë aq shumë raportime të pandershme sa duhet t’u jepet çmim për trillime!"

Dy vjet më parë, dhëndri i zotit Trump, Jared Kushner, tani këshilltar i Shtëpisë së Bardhë, u tha drejtuesve të biznesit pas zgjedhjeve se presidenti i ardhshëm kishte pranuar t’i jepte më shumë akses grupit Sinclair gjatë fushatës së tij në këmbim të transmetimit të intervistave me zotin Trump, por pa komente shoqëruese që mund ta shtrembëronin mesazhin e tij për votuesit.

Në komentet e tij të ditës së martë, Presidenti Trump veçonte rrjetin CNN, duke pretenduar, pa dhënë asnjë provë, "se nuk mund të gjesh aty një punë nëse deklaron se je krejtësisht anti-Trump". Ai e quajnte ekzekutivin më të lartë të CNN, "Vogëlushi Jeff Zuker" (mbiemri i të cilit në fakt është Zucker), duke thënë se "vendi i tij i punës është në rrezik" dhe se "kohët e fundit nuk është shumë i gëzuar”.

"Ata duhet të pastrojnë dhe të forcojnë CNN-in dhe t’i kthehen raportimit të ndershëm,” shkruante zoti Trump.

CNN iu përgjigj komenteve të zotit Trump, duke thënë: “Edhe një herë, i rremë; besimet politike personale të punonjësve të CNN-it nuk janë me interes për ne, kërkimi i së vërtetës është shqetësimi ynë i vetëm.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG