Lidhje

OSBE shton ndihmën Shqipërisë kundër radikalizmit dhe ekstremizmit


Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian zhvilloi sot në Tiranë konferencën për parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që çojnë në terrorizëm në institucionet e privimit të lirisë dhe shërbimit të provës në Shqipëri.

Drejtuesi i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt tha se prania e ekstremistëve islamikë radikalë në burgje është problem, me të cilin po ndeshen shumë prej shteteve anëtare të OSBE-së.

Sipas ekspertëve, rreziku i prekjes së të burgosurve të zakonshëm nga radikalizmi është i lartë, sepse burgjet janë vendi i parë i radikalizimit.

Ambasadori Boshardt tha se të burgosurit gjenden në situata acaruese, në monotoni dhe ua hedhin fajin të tjerëve, ndaj ata bien lehtësisht pre e radikalizmit.

“Radikalët pretendojnë se Perëndimi është në luftë me botën myslimane, se myslimanët nuk kanë vend në shoqëritë perëndimore, ndaj ata i hyjnë botës së krimit, ata pretendojnë se shteti laik nuk mund t’i dënojë, i vetmi që mund ta bëjë këtë është Zoti” - tha zoti Borchardt.

Radikalët, shpjegoi ai, përkundër kësaj, ofrojnë edhe alternativa: aventurat e xhihadit apo kënaqësitë e parajsës për martirët apo thjesht ndjesinë i të qenit i pushtetshëm.

“Në Shqipëri ekstremizmi radikal është i kufizuar, por problemi ekziston. Shifrat po rriten me të kthyerit nga e ashtuquajtura “luftë e shenjtë” dhe pritet që ata t’u qëndrojnë bindjeve të tyre” - tha ai.

OSBE po e ndihmon Shqipërinë në këtë proces, duke sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare si të identifikojë ekstremistët në burgje dhe personat në rrezik.

Pas trajnimit të mbi 100 punonjësve të burgjeve, ata po përpiqen të bëjnë për vete sa më shumë radikalë që të jetë e mundur, duke u shpjeguar të dënuarve në rrezik se si radikalët i joshin të tjerët për t’i shfrytëzuar më pas. Edhe klerikët mund të qëndrojnë më pranë tyre, pohojnë ekspertët.

Mes shumë vendeve të tjera, edhe Shqipëria ka hartuar Strategji Kombëtare dhe Plan Veprimi si duhet luftuar ekstremizmi i dhunshëm.

Shqipëria po ashtu ka krijuar Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhjetorin e kaluar dhe ka marrë mbështetje për mirëfunksionimin e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG