Lidhje

Tiranë: Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, u procedua për tubim të paligjshëm


Në Tiranë, policia procedoi penalisht 50 organizatorë dhe pjesëmarrës të protestës opozitare të ditës së enjtes, kur qindra njerëz bllokuan katër rrugë kombëtare për rreth dy orë.

Policia përmendi akuzat “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Njoftimi i policisë përshkruan me moshë dhe iniciale organizatorët dhe protestuesit proceduar, që bllokuan autostradat.

Por shtypi vendas zbuloi midis tyre emrat e kryetarit të partisë demokratike, Lulzim Basha, dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi.

Janë proceduar po ashtu deputetë dhe politikanë të opozitës Edmond Spaho, Flamur Noka, Nard Ndoka, Arben Ristani, Luan Rama, Viktor Tusha, bashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, bashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu dhe bashkiakë të tjerë.

Për protestën në rrethrrotullimin e Vorës në autostradën Tiranë - Durrës u proceduan 8 persona.

Për protestën në aksin Mamurras - Milot policia procedoi 23 persona, që iu bindën thirrjes së opozitës për mosbindje civile.

Për protestën në rrugën e Bradashesh policia procedoi 12 organizatorë dhe pjesëmarrës.

Për protestën në kryqëzimin e Çermës u proceduan penalisht 7 drejtues dhe anëtarë të opozitës.

Policia procedoi penalisht 4 persona për “Ndotje të ajrit”, sepse protestave dogjën disa goma në rrugë, madje tha se po punon të identifikojë edhe persona të tjerë në këto tubime.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se ndjehej i nderuar, që u procedua penalisht bashkë me qytetarët në protestë për një të drejtë legjitime.

Ai tha se do të vazhdonte mbrojtjen e 11 kuksianëve të arrestuar, që mbahen padrejtësisht në qelitë e burgut. Zoti Basha tha se procedimi ishte një veprim qesharak i hetuesisë, e cila nuk mund të arrestojë dot të gjithë opozitën.

Opozita bllokoi për dy orë të enjten 4 rrugë kryesore për të kundërshtuar pagesat e 5-22 euro në Rrugën e Kombit, duke i kërkuar qeverisë të tërhiqej nga ajo tarifë dhe disa taksa të tjera. Drejtuesit e opozitës deklaruan se ky është vetëm fillimi i përgjigjes popullore ndaj qeverisë. Kryeministri Edi Rama deklaroi në parlament se tarifa në Rrugën e Kombit nuk do të zbatohet derisa të gjendet një zgjidhje për banorët e zones së Kukësit.

Protestat u mbajtën nga opozita në Vorë, në Bradashesh të Elbasanit, në Çermë dhe në Milot. Policia njoftoi protestuesit se manifestimet ishin të paligjshme, por drejtuesit e opozitës ishin shpërndarë në të katër akset e bllokuara.

Për më shumë se dy orë nuk pati incidente, përveç djegies së gomave në Bradashesh dhe Milot, por ato tubime janë proceduar tërësisht nga policia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG