Në Tiranë kryeministri Edi Rama e cilësoi sot rekomandimin e Komisionit europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim si një kapitull të ri të historisë së Shqipërisë si shtet. “Sot kemi kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re, si vend dhe si popull. Jemi rekomanduar, pa asnjë rezervë, nga Komisioni Europian, si një shtet që mund dhe duhet të ulet në tryezën e negociatave, për të hyrë në familjen e shteteve anëtare të Europës së Bashkuar”, u shpreh zoti Rama pasi kishte marrë më parë nga ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit europian një kopje të raportit të Komisionit për Shqipërinë.
Sipas kryeministrit, me këtë vendim Shqipëria “fiton një staturë të re në arenën ndërkombëtare” dhe vendi shtoi ai, “del nga një tjetër udhëkryq, mes të shkuarës dhe të ardhmes. Tanimë është e qartë për të gjithë, se rruga përtej udhëkryqit ku ndodheshim deri sot, sado e përpjetë, sado e vështirë, sado e gjatë, është e gjitha e hapur përpara nesh”, u shpreh zoti Rama duke theksuar se “Stacioni i radhës në fund të kësaj rruge të re është anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe shpejtësia e mbërritjes në atë stacion, varet në radhë të parë nga ne, nga të gjithë ne!”.
Rekomandimi për çeljen e negociatave për anëtarësim “është njohja e meritave tona, në fushën e betejave të vështira për të bërë shtet, me reforma reale dhe luftë të vërtetë kundër armiqve të shoqërisë e të shtetit, krimit e korrupsionit”, deklaroi kryeministri duke saktësuar se rekomandimi “nuk është fundi i këtyre betejave, as fundi i hesapeve me krimin e me korrupsionin, por futja në një fazë të re, edhe më të vështirë, të reformave dhe përshkallëzimi i mëtejshëm i luftës kundër krimit e korrupsionit”.
Për presidentin Ilir Meta rekomandimi nga ana e Komisionit europian është “një akt inkurajues, i shumëpritur dhe strategjik për të ardhmen evropiane të vendit”. Duke e konsideruar raportin e progresit për Shqipërinë “në harmoni të plotë me strategjinë e zgjerimit që synonte një perspektivë të besueshme dhe angazhim të thelluar të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, kreu i Shtetit theksoi “rëndësinë që ka miratimi i kësaj qasjeje dhe rekomandimit të Komisionit nga Këshilli Evropian i qershorit, për të nisur etapën e re të procesit të negociatave të anëtarësimit”.