Lidhje

Bregu, post drejtues në organizatën rajonale të Europës Juglindore

Ish ministrja shqiptare e Integrimit europian Majlinda Bregu, njoftoi të hënën se ajo ishte zgjedhur në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) një strukturë e cila është pjesë e Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP). Këshilli, i cili zëvendësoi në vitin 2008 Paktin e Stabilitetit për Europën Juglindore ka si objektiv “të promovojë bashkëpunimin dhe integrimin europian dhe euroatlantik në Europën juglindore” dhe aktiviteti i tij është i përqëndruar në 5 fusha prioritare: zhvillimi ekonomik e social; infrastruktura dhe energjia; drejtësia dhe çështjet e brendshme, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe formimi i kapitalit njerëzor e bashkëpunimi parlamentar.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit zgjidhet nga ministrat e Jashtëm të SEECP-it. Zonja Bregu e cila përfaqësoi kandidaturën e Shqipërisë, ishte në garë me politikanin malazez Igor Lukšić, i cili ka mbajtur për dy vjet postin e kryeministrit dhe më pas për katër vite atë të ministrit të Jashtëm të Malit të Zi. Zgjedhja e zonjës Bregu duket se ka ardhur dhe si rezultat i një kompromisi mes Tiranës dhe Podgoricës, pasi në përfundim të mandatit të saj më 2021, ajo do të zëvendësohet pikërisht nga zoti Lukšić. Vendimi u mor të hënën gjatë mbledhjes së ministrave të Jashtëm të SEECP-it në Brdo pri Kranju të Slovenisë.

Zonja Bregu bëhet shqiptarja e parë që merr një post të lartë në një organizatë ndërkombëtare, anëtarë të së cilës janë 45 shtete dhe organizata e institucione ndërkombëtare. Përmes një postimi në Facebook zonja Bregu shpreh “mirënjohje të gjithëve,vendeve anëtare, institucioneve shqiptare, Komisionit Europian, EEAS ( Shërbimi i Jashtëm i BE), Parlamentit Europian, familjes time politike EPP, e mbi të gjitha vendeve që votuan bindshëm kandidaturën time. U përpoqën të gjithë, me qartësinë se drejtimi prej meje i këtij institucioni do të ishte fitore e Shqipërisë dhe shqiptarëve!”. Më tej zonja Bregu shprehet “e nderuar që për herë të parë më takon mua të drejtoj si e para shqiptare në një pozicion të lartë ekzekutiv, institucionin që ka si mision fuqizimin dhe rritjen e bashkëpunimit në vendet e Europës Juglindore!”. Ajo ka falenderuar “miqësisht” dhe ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. “Na ndajnë sinoret politike, por na bashkoi qasja Europiane dhe përpjekja për të punuar pro Shqipërisë!”, nënvizon zonja Bregu.

This item is part of
XS
SM
MD
LG