Lidhje

Studimi: Buxheti për arsimin shqiptar, në rënie të vazhdueshme


Koalicioni për Arsimin në Shqipëri publikoi sot në Tiranë një studim analitik krahasues 10-vjeçar mbi financimin e arsimit publik parauniversitar në Shqipëri, i cili zbuloi mungesa të shumta sa i takon buxhetimit të arsimit dhe diferenca të mëdha mes financimeve të premtuara dhe atyre të kryera.

Koalicioni për Arsimin në bashkëpunim me Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijvë e CRCA zbuluan nga studimi se buxheti i shtetit mbetet tepër i ulët për arsimin para-universitar.

Buxheti i shtetit për arsimin është afro 2.9 për qind, ose sa gjysma e mesatares së buxheteve të vendeve anëtare të BE-së, që janë mbi 5 për qind.

Autori i studimit, Altin Hazizaj, drejtues i CRCA-së, thotë se “arsimi nuk ka përfituar nga asnjë rritje e ekonomisë së vendit, por përkundrazi, fondet për arsimin janë ulur nga viti në vit”.

Studiuesit pohojnë se ulja e buxhetit nuk mund të justifikohet as me numrin në rënie të regjistrimeve të nxënësve. Ndërsa fëmijët romë, vetëm 1/3 mbërrijnë deri në klasën e 9, dhe ka një braktisje të dukshme, sidomos nga vajzat rome.

Të dhënat tregojnë se shpenzimet kryesore për arsimin në Shqipëri e zëne rrogat e mësuesve, psikologëve dhe arsimtarëve ndihmës, ndërkohë që niveli i investimeve në arsim mbetet tepër i ultë. Investimet në arsim për shkolla dhe klasa të reja, mjedise më miqësore dhe më të përshtatshme për fëmijët dhe mësuesit, kanë ardhur gjithnjë duke u ulur.

Koalicioni për Arsimin ka nisur një fushatë me moton se duhen 6 për qind buxhet për arsimin në Shqipëri.

Mungesat e financimeve janë të ndjeshme; midis tyre, 65 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të paintegruar në arsimin e detyrueshëm 9 vjeçar.

Në arsimin parashkollor, regjistrimi është dy herë më i lartë në mesin e atyre që janë më të pasur se nga ata që janë më të varfër.

Fëmijët e pakicave kombëtare, ata që jetojnë në situatë rruge, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët vajzat, etj., iu shkelet më shumë e drejta për arsim.

Varfëria, pabarazia, përjashtimi social, dhuna, bulizmi dhe diskriminimi ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve që ndjekin arsimin parauniversitar publik, janë faktorët kryesorë nga buron shkelja e të drejtës së tyre për arsim.

Shqipëria vijon të mbetet një ndër vendet më të varfëra në Europë.

Thuajse 14 përqind e popullsisë vijon të jetojë në varfëri absolutendërsa thuajse 47 përqind e popullsisë jeton në varfëri relative.

Varfëria në Shqipëri, pas krizës ekonomike të vitit 2008 në Bashkimin Europian, goditi sidomos fëmijët, të rinjtë dhe pensionistët.

Nivelet e ndryshme të arsimit janë të lidhura ngushtësisht me nivelin e varfërisë dhe të pabarazisë në shoqëri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG