Lidhje

Peru, sipërmarrësi mirëpret imigrantët nga Venezuela


.

Venezuelianët po largohen nga vendi i tyre në masë dhe eksodi i tyre mund të krahasohet me krizën e refugjatëve sirianë. Ndihma ndërkombëtare ka filluar të arrijë tek njerëzit në nevojë. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar së fundmi 16 milionë dollarë ndihma humanitare për vendet që ndihmojnë imigrantët nga Venezuela të sistemohen në vende të reja. Në Peru, një sipërmarrës po përpiqet të japë kontributin e tij për të ndihmuar familjet nga Venezuela të fillojnë një jetë të re. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza sjellë hollësitë.

Nëntëmbëdhjetëvjeçarit, Suker Alvarado ende i mbushen sytë me lot kur kujton babanë dhe gjyshërit e tij. Ata ngelën në Venezuelë kur ai dhe pjesa tjetër e familjes së tij emigruan në Peru 11 muaj më parë, me xhepat bosh.

"Mendoj shumë për familjen time. Që kur isha i vogël, u edukova në këtë frymë, të mos harxhoja ushqim, të mos humbisja asnjë pikë uji, sepse e di që në Venezuelë ka shumë njerëz që do ta hanin atë kafshatë të vogël që nuk e ke ngrënë ti".

Ata u pritën në një strehimore në San Juan del Lurigancho në Peru.

"Ne ishim të parët që u pritëm nga zoti René", thotë Suker Alvarado, imigrant nga Venezuela.

Sipërmarrësi peruan René Cabaña hapi dyert e strehimores pasi pa valën e refugjatëve venezuelianë në Peru, që tani vlerësohet të ketë arritur në mbi 115,000 njerëz. Cabaña krijoi strehimoren për të strehuar disa nga imigrantët në një lagje, që tani me dashuri quhet "Chamo", që do të thotë "mik".

"Ndihem krenar sepse e fillova këtë pa menduar se veprimi im do të bënte aq shumë bujë. Unë mendoj se kur ju ofroni ndihmë, është më mirë nëse të tjerët nuk e dinë këtë. Por herë pas here kemi nevojë për ndihmë nga komuniteti dhe nga bashkësia ndërkombëtare", thotë Rene Cabañas, themeluesi dhe koordinatori i strehimores.

Çdo dhomë në qendrën e refugjatëve është e pajisur me shtretër marinari për të strehuar numrin në rritje të venezuelanëve që vijnë çdo ditë.

"Falenderoj zotin René për mbështetjen që na ka dhënë. Zoti René është kryetar i bashkisë, ai na mbështet shumë, ne gjithmonë marrim njerëz që kanë nevojë për një vend pune", thotë Ricardo Tovar, imigrant nga Venezuela.

Nisma ndihmon refugjatët venezuelanë të gjejnë punë në mënyrë që ata të mund të mbështesin veten e tyre. Ricardo Tovar, i cili erdhi në Peru me gruan e tij dhe vajzën e tij, planifikon të rrisë familjen e tij këtu.

"Do të doja të kthehesha në vendin tim, por kam një fëmijë, nuk mund ta rrezikoj fëmijën dhe familjen time duke i kthyer në një vend që vuan nga dhuna, uria dhe brengat. E dua vendin tim dhe do të jem shumë i kënaqur që edhe vajza ime do ta njohë atë. Të paktën këtu në Peru kanë vlera të larta, moral, në vendin tim vlerat kanë humbur", thotë imigranti nga Venezuela.

Më shumë se një milion imigrantë venezuelianë kanë ikur nga vendi i tyre që nga fillimi i kolapsit ekonomik të Venezuelës më shumë se gjashtë vjet më parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG