Lidhje

Arrest shtëpie për ish ministrin Tahiri


Në Shqipëri, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot pasdite masën e “Arrestit në shtëpi” për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria nga ana e saj kishte kërkuar “Arrest me burg. Ajo e akuzon atë për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Kërkesa e Prokurorisë erdhi një javë pasi zoti Tahiri, dorëzoi mandatin e deputetit. Ish ministri ishte pranë banesës së tij me avokatin mbrojtës në kohën që në Gjykatë po merrej vendimi rreth kërkesës së prokurorisë. Ai u ngjit në banesë pak përpara se dy prokurorë të mbërrinin për t’i njoftuar atij vendimin e arrestit në shtëpi.

Ish ministri i Brendshëm u vu nën akuzë tetorin e shkuar, për dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendet disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë. Qëndrimi i shumicës dhe veçanërisht i kryeministrit Edi Rama, i cili i kishte dalë gjithmonë në krah, edhe kur gjatë vitit 2016 fenomeni i kultivimit të marijuahës mori një përhapje masive, u pa gjerësisht si një mbrojtje që ju ofrua ish ministrit. Opozita e ktheu këtë çështje në një kalë të betejës së saj politike, duke lëshuar akuza të forta ndaj tij. Edhe vendimin e tij për të hequr dorë nga mandati i deputetit, ajo e konsideroi si “një manovër politike, pjesë e një pakti Tahiri-Rama për të mashtruar partnerët ndërkombëtarë”, ndërkohë që sipas opozitës, “Prokuroria është nën kontrollin e kryeministrit”.

Edhe në reagimin e sotëm për vendimin e Gjykatës kryetari demokrat Lulzim Basha u shpreh se “arresti i shtëpisë i Saimir Tahirit nuk është vendim i drejtësisë, por vendim politik i Edi Ramës. Ky është dorëzimi i kontrolluar që paralajmëruam vetëm 3 ditë më parë, pjesë e paktit mafioz Rama-Tahiri. Saimir Tahiri duhet të ishte sot në qeli dhe jo në arrest shtëpie. Arresti i shtëpisë për Saimir Tahirin është mashtrimi i rradhës i Edi Ramës ndaj shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kjo është po kështu prova se lëvizjet e paligjshme në prokurori kanë për qëllim mbylljen e dosjes Tahiri. Tahiri nuk burgoset dhe as nuk dënohet sepse e mbron dhe e ruan Rama. Sepse Tahiri dhe Rama janë një”.

Ndërsa për Monika Kryemadhin, drejtuesen e Lëvizjes Socialiste për Integrim “tashmë drejtësia vdiq plotësisht për t’ia lënë vendin përballjes së bandave dhe grupimeve në PS. Tashmë padrejtësia është përballë popullit , sepse drejtësia ka mbetur peng në duart e Edi Ramës dhe bandës së tij”, shkruajti zonja Kryemadhi në një postim në Facebook.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pari që reagoi, “vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet, thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike a diplomatike”.

Ambasada amerikane po ashtu u prononcua mbrëmë duke deklaruar se “Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata”. Ajo komentoi gjithashtu dhe goditjen e sotme të një grupi të fuqishëm të narkotrafikut ndërkombëtar, si dhe për arrestimin pak ditë më parë në GJermani të pronarit të kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banana ku u gjenden 613 kilogram kokainë në muajin mars. “Arrestimi i Met Kananit në Turqi dhe 14 anëtarëve të bandës së tij kriminale në Shqipëri është shenjë e seriozitetit të policisë dhe prokurorëve për të vënë në shënjestër krimin e organizuar. Së fundi, arrestimi i trafikantit të dyshuar të kokainës Arbër Çekaj në Gjermani dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Shqipëri është shenjë se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend. Përgëzojmë punën e vështirë dhe me kurajë të Policisë së Shtetit, Prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda”, përfundon deklarata e Ambasadës amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG