Lidhje

Gazetari Olldashi: Unë përgjova bisedën me vëllanë e Xhafajt


Në Shqipëri, gazetari Jetmir Olldashi tha sot se ai ishte autori i përgjimit të bisedës mes vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Albert Veliut, personi i cili ka deklaruar publikisht se ka folur me Agron Xhafajn për trafikimin e një sasie marijuane. Gazetari Olldashi tha se biseda ishte pjesë e një investigimi që ai po bënte për trafikun e drogës në qytetin e Vlorës. Menjëherë pas kësaj deklarate Partia demokratike, përsëriti akuzat që prej ditësh ka ngritur ndaj ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit Edi Rama se po përpiqen të fshehin aktivitetin kriminal të Agron Xhafajt.

Shqipëri, gazetari merr autorësinë për përgjimin
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:06 0:00

Gazetari Jetmir Olldashi tregoi sot se kishte rënë në kontakt me Albert Veliun, pasi ja kishin prezantuar si një njeri që kishte dijeni për trafikun e drogës në qytetin e Vlorës. Bashkë me të ai kishte shkuar në lokalin e vëllait të ministrit të Brendshëm në Vlorë. Ai tha se ndërsa Veliu priste në lokal Agron Xhafën, ai vetë ishte ulur në një tjetër lokal përballë. Në ndryshim nga deklaratat e Veliut, i cili mohoi të kishte dijeni për përgjimin, gazetari Olldashi tha sot se “në të gjitha takimet i kisha vënë një pajisje regjistruese Albert Veliut. Alberti erdhi menjëherë pas takimit me Agron Xhafaj (Gonin) dhe unë i mora pajisjen e regjistrimit të bisedës që i kisha vënë. Nga zbardhja e bisedës së përgjuar që është bërë tashmë edhe publike, Albert Veliu i kishte kërkuar Agron Xhafajt ndihmë për të siguruar dhe trafikuar një sasi kanabisi në drejtim të Italisë dhe Agron Xhafaj e kishte dërguar tek një person për të mbaruar punë”.

Gazetari thotë se më pas së bashku me Veliun “shkuam në një lokal i cili sipas Albertit njihej si lokali poshtë Habilajve. Aty erdhi një person, me të cilin u zhvillua një bisedë për të siguruar sasinë e drogës dhe më pas udhëtuam drejt Tragjasit për të siguruar sërisht një sasi tjetër kanabisi. Nga i gjithë investigimi kam vënë re se pavarësisht raporteve në media se janë goditur grupe kriminale, gjendja në Vlorë ishte jashtë kontrollit. Të kërkoje kanabis ishte si të kërkoje një produkt normal”.

Gazetari Olldashi shpjegon se duke parë se bëhej fjalë për një çështje të ndjeshme dhe duke mos patur mundësi që ta transmetojë atë pasi ishte larguar nga emisioni ku punonte më parë, kishte vendosur t’i drejtohej Partisë Demokratike, si forca kryesore e opozitës në vend. “Në Partinë Demokratike kontaktova me deputetin Ervin Salianji, një nga deputetët që ka denoncuar trafikun e drogës dhe kanabizimin nga parcelat e hashashit. E informova në detaje për investigimin dhe rezultatet e tij, si garanci për sigurinë e burimit tim dhe sigurinë time personale”.

Pas publikimit të deklaratës së gazetarit Olldashi, i cili deklaroi se materialin e tij investigativ do ta bënte publik në një nga televizionet shqiptare, në Partinë Demokratike kreu i saj Lulzim Basha u shfaq para mediave. “Kjo është e vërteta, jo gënjeshtrat e Fatmir Xhafajt, as mashtrimet kriminale të Edi Ramës. Edi Rama edhe dje gënjeu pacipësisht duke pretenduar se ia ka bërë në Surrel ekspertizën dhe se i paska dalë falso”.

Opozita e cila ka thirrur javën e ardhshme dhe një protestë, drejtoi sërish akuza ndaj ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit: “Fatmir Xhafa dhe Edi Rama, janë sot të dyshuar për veprën penale të mbulimit të veprimtarisë kriminale të Agron Xhafajt, të mbulimit të veprimtarisë kriminale të mosveprimit të ligjit antimafia, të mbulimit të veprimtarisë kriminale të falsifikimin të dokumentave zyrtare dhe korrupsionit të zyrtarit të lartë në detyrë. Këto janë arsyet, përse Fatmir Xhafaj vazhdon të qëndrojë në detyrë”, u shpreh zoti Basha.

Si ministri Xhafaj ashtu dhe kryeministri kanë folur për një material të manipuluar. Zoti Rama reagoi sot përmes një statusi në Facebook, duke theksuar se do të presë me durim provën shkencore të audio përgjimit nga prokuroria. Shqiptarët do shohin e do dëgjojnë, shkruan ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG