Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot një tubim proteste së bashku me mijëra anëtarë dhe mbështetës të opozitës.
Ata kërkuan largimin nga postet të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj, pas dyshimeve se ky i fundit ka favorizuar vëllain e tij për t’iu shmangur dënimit me 7 vjet burg për trafik droge nga drejtësia italiane.
Protestuesit nga Tirana dhe nga krahina të tjera u bashkuan në shëtitoren “Dëshmoret e Kombit” me thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Rama ik, Xhafaj Ik”.
“Përpjekja jonë është beteja mes njerëzve që duan drejtësi dhe atyre që kanë kapur drejtësinë, beteja mes njerëzve që duan siguri dhe rend, dhe aleancës së pushtetit me krimin” - tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Zoti Basha, akuzoi qeverinë për lidhje të ngushta me grupet kriminale, që i mbron duke shfrytëzuar pushtetin.
“Kjo qeveri - tha ai - nuk mund të çlirohet vetë nga krimi, as do ta luftojë vetë drogën. Ka vetëm një rrugë: largimi i kësaj qeverie nga njerëzit, nga populli i bashkuar. Qeveria Rama është sot qeveria më anti-europiane që ka Europa”.
Ai tha se autokracia, korrupsioni nuk pranohen, se nuk mbyllen sytë para krimit dhe drogës.
Zoti Basha tha se “Rilindja ndërtoi një sistem kriminal politik dhe ekonomik, ku pushteti nuk buron nga politika, por nga pazaret, nuk buron nga vota, por nga paraja, nuk buron nga vullneti i njerëzve të lirë, por nga forca e dhunës”.
Pas fjalimit të kryetarit të opozitës, protestuesit marshuan në shëtitore deri te sheshi Nënë Tereza. Ata patën përplasje me policinë te kryeministria dhe te ministria e brendshme, teksa hidhnin vezë dhe tymuese.
Të dy palët pretenduan për provokime reciproke, që shkaktuan dhunë, por të dyja palët kishin marrë porosi që të ruanin gjakftohtësinë.
Në këto skena pësuan plagosje disa policë dhe protestues, mes të cilëve edhe kryeredaktori i Rilindjes Demokratike Bledi Kasmi.
Drejtuesit e opozitës shkuan më pas në këto vendngjarje për të qetësuar situatën dhe i larguan përkrahësit e tyre nga këto skena.
Më pas kryetari i PD, Lulzim Basha,dhe drejtori i policisë,Ardi Veliu, vizituan të plagosurit e secilës palë në të njëjtat pavione të urgjencës spitalore.
Kryeministri Rama falenderoi nga rrjetet sociale demokratët që nuk erdhën në tubim dhe, sipas tij, nuk u bënë pjesë e një aksioni për të njollosur Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve pak ditë para vendimit për fatin e negociatave.
Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në protestë dhe tha se opozita dhe qytetarët treguan që nuk pranojnë të qeverisen nga një kabinet i inkriminuar.
“Shqiptarët po kërkojnë largimin e Edi Ramës. Raporti i Progresit për Shqipërinë përshkruan një gjendje të rëndë të krimit dhe korrupsionit në nivele të larta. Ai që po pengon rrugën e Shqipërisë drejt Europës është vetëm Edi Rama dhe vartësit e tij të inkriminuar” - tha ajo.
Protestat e opozitës në parlament dhe sot në sheshin para kryeministrisë morën hov nga një audio-përgjim, që u publikua nga PD, ku sipas saj, vëllai i ministrit të brendshëm shprehte gadishmërinë për të lehtësuar trafikun e lëndëve narkotike.
Gjatë gjithë kohës, si kryeministri Edi Rama dhe ministri Fatmir Xhafa kanë hedhur poshtë si një sajesë dixhitale këtë bisedë.
Regjistrimi u dërgua në laboratorët e një shteti partner për verifikim. Ministri Xhafa tha dje se “ishte aq i sigurtë në falsifikimin e atij regjistrimi nga PD sa që ishte gati të jepte dorëheqjen nëse analizat e nxjerrin për të vërtetë”.
Ai sfidoi edhe kryetarin e PD-së Basha që edhe ai të jepte dorëheqjen, nëse materiali del i sajuar.
Vëllai i ministrit të brendshëm udhëtoi vet drejt Italisë për t’u dorëzuar pranë organeve të drejtësisë italiane.
Me zërin e tij origjinal dhe me regjistrimin e bisedës së pretenduar për trafiqe, drejtësia shqiptare ka nisur një hetim të posaçëm.
Facebook Forum