Lidhje

Shqipëri: Pjesëmarrje minimale e qytetarëve në tregun e sigurimeve


Sigurimet që paguajnë qytetarët shqiptarë për jetën dhe qetësinë e tyre janë tejet të pakta, si sigurimet vullnetare ashtu edhe ato të detyrueshme.

Deri tani ata paguajnë vetëm 35 euro sigurime për frymë, çka përbën shkallën më të ulët të mbulimit me sigurime në kontinent.

Shqipëri, tregu i sigurimeve dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:40 0:00

Studimi më i fundit zbuloi se pjesëmarrja e qytetarëve në tregun e sigurimeve është vetëm 4-7 për qind.

Te sigurimi i jetës pjesëmarrja është vetëm 2-3 për qind, ndërsa në sigurime të tjera pjesëmarrja është 6-7 për qind.

Ekspertët pohojnë se popullata është tejet e zbuluar dhe e pambrojtur, ndaj nevojiten ndërhyrje ligjore.

“Tregu mjaft i madh dhe me shumë perspektivë, nëse do të ketë një bazë të fuqishme ligjore, që duhet ta ndërmarrë shteti, në mënyrë që çdo njeri t’u drejtohet kompanive të sigurimeve për shërbimin e duhur dhe jo zyrave të shtetit, të bashkive apo ministrisë së shëndetësisë për një kurim apo mjekim” - tha Avni Ponari, drejtues i kompanisë së sigurimeve SIGAL.

Studiuesit pohuan se mospjesëmarrja e qytetarëve në tregun e sigurimeve vjen kryesisht prej mendësisë së trashëguar se shteti është përgjegjës për çdo gjë.

Ashtu si në kohën e diktaturës shteti ndërhynte në gjithçka, edhe sot pjesa dërrmuese e qytetarëve, madje edhe biznese private për çdo hall i kërkojnë ndihmë zyrave të shtetit.

“Zyra ime e ka patur jo pak këtë problem, sidomos në raste përmbytjesh dhe fatkeqësish natyrore, ku bizneset e prkeura kanë kërkuar zgjidhje nga shteti, duke u varur kështu nga politika dhe buxheti i shtetit. Por ndërgjegjësimi është në rritje dhe shifrat e sigurimeve po përmirësohen” - tha Sonila Qato ministre për sipërmarrjen

Shqipëria erdhi nga diktatura në ekonominë e tregut pa asnjë përvojë në fushën e sigurimeve. E gjithë popullata ishte e pasiguruar, nuk ka përvojë e kulturë sigurimi, nuk ka besim te sigurimet dhe po mbetet e pasiguruar për disa dekada.

“Mosbesimi në përgjithësi për tregun e sigurimeve është një faktor i rëndësishëm dhe këtu luan rol edhe shteti me mekanizmat e tij për t’u qytetarëve besimin dhe bazën ligjore, se tregu i sigurimeve është një treg i garantuar dhe se çdo njeri që sigurohet ka një kontratë dhe një marrëveshje, ku pala siguruese është e detyruar të mbulojë dëmet e shkaktuara” - tha zoti Ponari.

Tregu i sigurimeve u rrit 5 për qind vitin e kaluar, madje u kryen 25 për qind më shumë sigurime vullnetare. Edhe në fondin e pensioneve private u pa një rritje 30 për qind. Shifrat sadopak optimiste tregojnë se mendësia e njerëzve po ndryshon ngadalë.

“Një pikë e rëndësishme e suportit tonë do të ofrohet me politikat e reja sipas konceptit të përgjegjësisë profesionale të bizneseve, produkteve dhe shërbimeve që ata ofrojnë. Ky sistem sigurimi e delegon përgjegjësinë e kontrollit të konsumit apo të shërbimit tek kompanitë e sigurimit. Qeveria po punon për akreditimin e institucioneve” - tha zonja Qato.

Megjithatë, pjesëmarrja e shqiptarëve në industrinë e sigurimeve është fare minimale; ata paguajnë vetëm për automjetet dhe sigurime minimale të detyrueshme, që ua kërkon polici.

As për t’u mbrojtur nga zjarri ata nuk paguajnë ca dollarë në vit, se u duken pagesa të kota, por kur digjen banesat i kërkojnë ndihmë bashkive. Shumë sigurime të tjera nuk i njohin dhe nuk i kërkojnë as vullnetarisht as me detyrim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG