Lidhje

Zbutja e imazhit të udhëheqësit të Koresë së Veriut


Imazhi publik i udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duket se është zbutur në media pas takimit historik të muajit të kaluar me udhëheqësin e Koresë së Jugut dhe vullnetit të dukshëm për takimin javën e ardhshme me Presidentin Donald Trump. Por disa në Korenë e Jugut nuk e besojnë ndryshimin e Kim Jong Un-it nga diktator i vijës së ashpër në një diplomat paqedashës. Kundërshtarët po paralajmërojnë që bota të mos mashtrohet nga pamja e re e diktatorit të Koresë së Veriut. Ata po zhvillojnë protesta të zëshme në Seul, vetëm pak ditë para takimit historik mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.

Imazhi publik i udhëheqësit të Koresë së Veriut është zbutur së fundmi, por jo në sytë e protestuesve në Seul. Një prej tyre është edhe Kim Sang-Jin i cili dikur shërbente në ushtri.

“Kim Jong Un është një demon që kërcënon gjithë njerëzimin.”

Ai shton se një fushatë keqinformimi po paraqet një imazh të gabuar të udhëheqësit të Phenianit dhe për këtë ai fajëson median dhe qeverinë.

“Mendo çfarë njeriu është ai që qëlloi dhe vrau xhaxhanë me kundërajror, që helmoi për vdekje gjysëm-vëllain dhe ekzekutoi njerëzit e tij të afërt. Ai është një person i frikshëm. Pavarësisht nga kjo, media jug-koreane po mashtron qytetarët e saj.”

Muajin e kaluar udhëheqësit e dy koreve mbajtën një takim historik në zonën e çmilitarizuar. Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae In, i tha udhëheqësit të Koresë së Veriut se popullariteti i tij në Jug ishte në rritje. Një anketë e fundit nga një stacion televiziv lokal tregonte se 78 për qind e jug-koreanëve tani e shohin udhëheqësin Kim si të besueshëm. Por protestuesi Kim akuzon qeverinë, që njihet si Shtëpia e Blu, për zbardhjen e imazhit të diktatorit.

“Shtëpia Blu udhëhoqi dhe lajmet e rreme zbukuruan imazhin e Kim Jong Un-it. Ato u shpërndanë nëpër rrjete dhe portale, duke thënë se kishte shtim të ndjeshmërisë së miqësisë rreth Kim Jong Un-it. Por unë nuk mund ta besoj kurrë këtë.”

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut janë caktuar të zhvillohen me 12 qershor në Singapor. Ndërkohë, protestuesit thonë se nuk presin që një tigër të ndryshojë gëzofin gjatë natës.

XS
SM
MD
LG