Lidhje

Shqipëri: Mbi 1 mijë fëmijë emigrantësh mbeten pa shtetësi


Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe Shoqata e Ndihmës Ligjore Tiranë (TLAS) deklaruan sot se të paktën 1 mijë e 30 persona, shumica fëmijë të lindur në Greqi, janë pa shtetësi në Shqipëri, duke humbur çdo shërbim shtetëror.

Më tepër se gjysma e tyre kanë lindur nga prindër të pamartuar, ose kanë lindur në shtëpi, ose në maternitete, që nuk mbajnë të dhëna të sakta për prindërit.

Mes të lindurve jashtë territorit shqiptar, shumica janë fëmijë romë dhe egjiptianë të lindur në Greqi.

Raporti mbi popullsinë e rrezikuar nga pashtetësia në Shqipëri thekson se ata janë kryesisht emigrantë shqiptarë të lindur në shtete të tjera, që nuk janë regjistruar dhe kanë vështirë të konfirmojnë shtetësinë e tyre.

“Nisma e UNHCR dhe TLAS synon të përmirësojë identifikimin dhe regjistrimin e personave pa shtetësi. Ne e ulëm numrin nga disa mijëra në disa qindra, por më tej duhet ndihma e autoriteteve” - tha Raimonda Bozo, drejtuese e Shoqatës për Ndihmë Ligjore e Tiranës.

Veprimtarët e komunitetit rom pohojnë se numri mund të jetë më i lartë, sepse personat pa shtetësi është vështirë të identifikohen.

“Numri në terrenin real është edhe më i madh edhe për fëmijët e pakicave kombëtare edhe për ata të shumicës. Nevojitet vullneti politik për të hequr këto barriera, që pengojnë fëmijët e pakicave të shkollohen e të kenë një jetë normale. Ata nuk regjistrohen për disa breza, nga gjyshja, nëna dhe fëmija dhe kjo është një plagë e madhe” - thotë Ferit Milaj, Unioni i Romëve të Shqipërisë Amaro- Dromë.

Nisma po bën bashkë ministrinë e jashtme, atë të brendshme, ministrinë e shëndetësisë dhe atë të arsimit për një regjistrim sa më të mirë të personave pa shtetësi, në mënyrë që ata të njihen dhe të përfitojnë shërbime sociale.

Studimet provojnë që ligjet shqiptare nuk trajtojnë diskriminimin ligjor, social ekonomik që provojnë pakica rome, i cili nis qysh nga mosregjistrimi i fëmijëve të tyre nga dita e lindjes dhe mbeten jashtë sistemit për shumë vite.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG