Lidhje

Dy të arrestuar në Kosovë nën akuzat për sulme terroriste


Autoritet në Kosovë arrestuan dy persona, njëri prej tyre me shtetësi belge, të dyshuar se po planifikonin sulme ndaj trupave të NATO-s dhe në mjedise publike në Kosovë, Belgjikë dhe Francë, sipas një njoftimi të zyrës së prokurorisë.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, prokuroria e Kosovës njofton se më 2 qershor, dy personat, një burrë dhe një grua, biseduan në telefon për përgatitjen e "sulmeve terroriste, kryerjen e sulmeve vetëvrasëse me makinë ndaj trupave të KFOR-it dhe kryerjen e sulmeve në mjedise publike".

Dyshja u arrestua të mërkurën.

Burri, i identifikuar vetëm si shtetas belg 26 vjeç, jetonte me gruan, e identifikuar si një 25 vjeçare, në afërsi të Prishtinës. Sipas autoriteteve, 26 vjeçari po planifikonte sulme vetëvrasëse në mjedise publike edhe në Francë e Belgjikë.

"Klienti im dyshohet për përgatitjen e sulmeve terroriste ... por unë nuk jam dakort, pasi prokurorët nuk kanë ofruar asnjë provë për arrestimin e tij", sipas avokatit mbrojtës të 26 vjeçarit, Abër Rexha.

Një zyrtar i lartë i policisë i tha agjencisë Reuters se hetimet janë zgjeruar edhe për të pandehur të tjerë.

Zyrtari tha se autoritetet arritën të regjistronin bisedën telefonike mes të pandehurve ku ata flasin për planifikimin e sulmeve.

Misioni i NATO-s, i tha agjencisë Reuters se kjo është një çështje që i përket policisë së Kosovës.

Në Kosovë ka 4,500 forca të NATO-s me mision ruajtjen e paqes.

Rreth 300 shtetas të Kosovës i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri dhe mbi 50 prej tyre janë vrarë atje. Kjo ka ngritur shqetësime se disa prej tyre mund të kthehen, duke paraqitur rreziqe për sigurinë, sipas autoriteteve të Kosovës.

Muajin e kaluar 8 persona u dënuan në Kosovë për planifikimin e sulmeve kundër kombëtares së Izraelit që do të luante në Shqipëri në 2016 në kuadër të eliminatoreve të kampionatit botëror të futbollit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG