Lidhje

Kosovë, të dielën ditë zie për nder të Fadil Vokrrit


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shpallur ditën e diel, ditë zie në vend për nder të Fadil Vokrrit.

Fadil Vokrri që ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërroi jetë të shtunën. Autoritetet mjekësore thanë se dyshohet se një arrest kardiak ka çuar deri te vdekja e tij.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një postim në Facebook tha se “me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë, i tërë kombi mori lajmin për vdekjen e parakohshme të Fadil Vokrrit, yllit më të ndritur të sportit dhe jo vetēm sportit tonë”.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se ndjehet “përjetësisht falënderues e mirënjohës ndaj veprave dhe sjelljes së Fadil Vokrrit. Sot futbolli ynë, sporti ynë dhe Kosova ka humbur shumë. Do të na mungosh Legjendë!”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nëpërmjet një komunikate ka ngushëlluar familjen Vokrri, të cilën e ka quajtur lajm të trishtë dhe pikëllues.

"Futbolli i Kosovës ka humbur legjendën më të madhe të saj. Fadili ishte një personalitet i shquar në fushën e sportit jo vetëm në Kosovë, por edhe në arenën ndërkombëtare, duke u bërë shembull për të gjithë se si duhet të punohet për të arritur suksese. Falë kontributit të madh të Fadilit, Kosova arriti të pranohet në FIFA dhe UEFA. Me punën dhe veprimtarinë e tij në shërbim të vendit, Fadili me të drejtë konsiderohej si një prej përfaqësuesve më të denjë të Kosovës në afirmimin e sportit të Kosovës nëpër botë",thuhet në komunikatën e kryeministri Haradinaj.

FIFA dhe UEFA për Fadil Vokrrin

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, Gianni Infantino shprehu siç tha trishtimin e tij për vdekjen e Fadil Vokrrit.

"Unë jam shumë i pikëlluar nga ky lajm dhe në emër të komunitetit të futbollit mbarëbotëror dhe në emrin tim shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e Fadil Vokrrit,"tha Presidenti Infantino nëpërmjet një komunikate.

"Ai ka qenë një pionier në shumë mënyra, duke arritur një karrierë të madhe ndërkombëtare, duke luajtur në klube të ndryshme dhe në liga të ndryshme të nivelit të lartë, në një kohë kur nuk ishte aq e zakonshme sa sot dhe duke hedhur themelet për njohjen e Kosovës si anëtare e FIFA-s”.

"Kjo kërkon energji të jashtëzakonshme, besim dhe forcë bindjeje. Fadili kishte të gjitha, ai ishte ky lloj njeriu: një shembull entuziazmi dhe vendosmëria dhe një udhëheqës i madh me të cilin jam krenar që kam njohur dhe punuar",thuhet në komunikatën e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.

Ndërsa presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit UEFA, Aleksander Čeferin tha se “jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar për të dëgjuar për vdekjen e Fadil Vokrrit.

"Ai ishte një futbollist i shquar që gëzonte një karrierë më të shquar dhe u bë administrator i futbollit dhe president i shoqatës kombëtare të kalibrit më të lartë. Fadil ishte figura kryesore në zhvillimin e futbollit të Kosovës që çoi Federatën e Futbollit të Kosovës për t’u bërë anëtar i UEFA-s në 2016. Në periudhën që prej atëherë, ai kishte udhëhequr integrimin e shoqatës brenda UEFA-s me aftësi dhe përpjekje të madhe”,thuhet në reagimin e zotit Čeferin.

Fadil Vokrri

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik 1960 në Podujevë, një qytet rreth 35 kilometra në veri të Prishtinës.

Fadil Vokrri bëri debutimin e parë në karrierë në klubin e tij të lindjes KF Llapi. Në fillim të viteve të 80-ta ai iu bashkua klubit futbollistik FC Prishtina, me ndihmën e të cilit klubi Prishtina u inkuadrua në ligën e parë të sih Jugosllavisë. Në vitin 1986 u transferua në klubin futbollistik FK Partizan. Ai luajti edhe për ekipe të Turqisë dhe Francës.

Nga viti 1984 deri në vitin 1987, Fadil Vokrri përfaqësoi ish Jugosllavinë në skenën ndërkombëtare, ndërsa në Lojrat Olimpike Dimërore të vitit 1984 në Sarajevë, ai barti flamurin në ceremoninë e hapjes. Në vitin 1987 ai u votua si lojtari më i mirë i ish Jugosllavisë.

Fadil Vokrri udhëhiqte Federatën e Futbollit të Kosovës që nga viti 2008, ndërsa llogaritet si një nga futbollistët më të mirë që ka pasur Kosova.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG