Lidhje

Kosovë, vështirësitë në konfiskimin e pasurive të paligjshme


Autoritetet në Kosovë thanë sot se nëpërmjet rritjes së kompetencave në ligjin për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme synohet të goditen të gjithë ata që janë pasuar nëpërmjet korrupsionit apo abuzimit me pushtetin.

Lufta kundër korrupsionit në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:53 0:00

Kjo u bë e ditur nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri gjatë paraqitjes së ndryshimeve në ligjin për konfiskimin e pasurisë. Ai tha se projektligji është shprehje e vullnetit politik të institucioneve të vendit për luftë kundër dukurive negative dhe një mesazh i fuqishëm ndaj të gjithë atyre që në mënyrë të paligjshme kanë përfituar pasuri nga veprat penale.

Abelard Tahiri
Abelard Tahiri

“Jam i bindur se me këtë projektligj, po bëjmë hapin më vendimtar ndaj keqpërdoruesve, ndaj personave që merren me krim të organizuar, ndaj personave zyrtar e politik që mund të kenë llogaritur se do të mund të pasurohen përmes korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, tha ministri Tahiri.

Me gjithë ndryshimet, organizatat e shoqërisë civile thonë se këto masa nuk mjaftojnë për të ndëshkuar të gjithë ata që janë pasuruar nëpërmjet rrugëve të paligjshme.

Arton Demhasaj nga organizata kundër korrupsion Çohu thotë se ligji për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme ishte miratuar së pari në vitin 2013 dhe sipas tij që nga ajo kohë, ky ligj nuk është zbatuar fare.

Arton Demhasaj
Arton Demhasaj

“Ky ligj deri më tani ka qenë zero i zbatueshëm dhe është pak faji te baza ligjore por njëkohësisht prapë faji qëndron edhe tek zbatuesit e ligjit për shkak se në masë të madhe prokurorët kanë pasur mundësi të hapin lëndë të tilla gjë që nuk e kanë bërë për shkak të neglizhencës së punës ose të ndonjë qëllimi tjetër”,tha zoti Demhasaj.

Isuf Zejna nga organizata Demokracia Plus thotë se statistikat e konfiskimit të pasurisë tregojnë zbatimin e deritashëm të ligjit.

Isuf Zejna
Isuf Zejna

“Nëse shihen raportet e prokurorisë, 1.3 milionë euro është vlera e pasurive të konfiskuara përderisa vlera e pasurive të sekuestruara është mbi 15 milionë euro. Viteve të kaluara kjo vlerë madje ka qenë edhe më e lartë dhe ka mbërritur në 30 milionë e më shumë sekuestrime po që pjesa më e madhe po përfundon me kthim tek pronarët, që do të thotë kjo nuk po konfiskohet me vendime të prera të gjykatave”,tha zoti Zejna.

Ai numëron disa nga faktorët që sipas tij po ndikojnë në mos zbatimin e masave të konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.

“Ajo që mungon është guximi i prokurorëve për të punuar në këtë drejtim, guximi i gjyqtarëve për të marrë vendime përfundimtare që të konfiskohen këto pasuri për shkak se mos të harrojmë se jetojmë në një mjedis të vogël ku gjyqtarët dhe prokurorët mund të jenë objekt i kërcënimeve, sulmeve, shantazheve të ndryshme mirëpo pse jo edhe i korrupsionit. Dihet që korrupsioni në nivel të gjykatave dhe prokurorive e kemi në një nivel shumë të lartë, të paktën besohet kështu në opinionin publik”,tha zoti Zejna.

Zoti Demhasaj thotë ndërkaq se projektligji aktual prek vetëm ata që kryejnë vepër penale. Ai thotë se duhet edhe një projektligj me bazë civile që do të mund të konfiskonte pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme edhe pa ndonjë vepër penale.

“Sepse të gjithë këta politikanë që ne sot i kemi në pushtet, ose ata që kanë qenë në pushtet apo ata që do të vijnë, në rast se ata nuk kryejnë një vepër penale dhe në rast se ata nuk dënohen për një vepër penale me një dënim të plotëfuqishëm asnjëherë ne nuk do të mund ta shqyrtojmë pasurinë e tyre se a është e ligjshme apo e paligjshme”,tha zoti Demhasaj.

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile thonë se mos konfiskimi i pasurisë se përfituar në mënyre të paligjshme, mbetet një ndër sfidat kryesore për të luftuar dhe parandaluar korrupsionin.

Edhe, Bashkimi Evropian në raportin e saj të fundit të përparimit për Kosovën thekson se me gjithë përmirësimet që janë shënuar në sekuestrimin e pasurisë, konfiskimet përfundimtare mbesin të ulta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG