Lidhje

Tiranë: BE kërkon dialog për pronat


Zyrtarë të Bashkimit Europian në Shqipëri bënë sot thirrje që administrata dhe pronarët të dialogojnë për të zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe me mirëkuptim çështjen e pronave.

Drejtuesja e Delegacionit të Komisionit Europian, ambasadorja Romana Vlahutin, tha sot në një takim të përbashkët mes qeverisë dhe shoqatave të pronarëve se për shumë dekada u bënë shumë padrejtësi në cështjen e pronave, ndaj vetëm me dialog mes gjithë palëve mund të gjenden zgjidhje të mira e të qëndrueshme.

BE, thirrjeTiranës për çështjen e pronave
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Ajo theksoi se e drejta e pronës është një nga të drejtat themelore e njeriut dhe për BE kjo është e panegociueshme, sepse Shqipëria është pjesëtare e Konventës Europiane të të Drejtave Njerëzore qysh nga viti 1992.

Në raportin e fundit për Shqipërinë, tha zonja Vlahutin, Komisioni Europian deklaroi qartë se Shqipëria duhet t’i përkushtohet me përparësi përmes institucioneve regjistrimit të pronave dhe kompensimit të tyre.

Shqipëria duhet të veprojë përmes një strategjie të saktë për të zgjidhur çështjen e pronave si dhe të ngrejë një sistem për menaxhimin e territorit.

Problemi vazhdon të mbetet i hapur dhe kjo është dëshmia që institucionet nuk i kanë bërë si duhet detyrat e tyre me pronat nga këndvështrimi i drejtësisë dhe i drejtave njerëzore.

“Zgjidhja e çështjes së pronave duhet veçanërisht për të përmirësuar të drejtën e pronave, për të siguruar konkurrueshmërinë në ekonomi, për të tërhequr investime dhe për të zhvilluar bujqësinë dhe përdorimin e tokës. Ligjshmëria është e para, proporcionaliteti gjatë kompensimit dhe prona private duhet mbrojtur dhe garantuar nga shteti” - tha ambasadorja Vlahutin.

Në Shqipëri ky problem, tha ajo, është më kompleks se në çdo vend tjetër; nisi me dhunimin e pronës private gjatë komunizmit; tranzicioni i gjatë solli një seri shkeljesh të tjera dhe shtoi kaosin e shkaktuar nga komunizmi.

Pasojat e ligjit 7501 për ndarjen e tokës bujqësore dhe ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave shtuan kaosin dhe sollën më shumë abuzime.

Këtyre iu shtua edhe korrupsioni dhe abuzimet nga institucionet, ndërsa shumë njerëz humbën tokat bujqësore përmes legalizimeve, ku ndodhën edhe absurditete deri në legalizimin e plazheve si prona private.

“Ndëshkimi ndaj çdo dhunimi të paligjshëm, duhet kryer ndaj secilit që pengon zotërimin e pronës nga pronari i ligjshëm. Legjislacioni është i fragmentuar, ka sjellë shumë vonesa dhe abuzime në terren, ka sjellë shumë konflikte për disa dekada, ka sjellë frikësim të njerëzve dhe pengim të zhvillimit” - tha zonja Vlahutin.

Shqipëria po zhvillon një reformë të thellë në sistemin gjyqësor dhe po përpiqet të përmirësojë zbatimin e të drejtave njerëzore përfshi edhe ato pronësore.

Misioni Euralius po studion këtë çështje nga këndshvështrimi ligjor, po mbledh përvoja nga vendet europiane si dhe po kryen një analizë mbi sfidat dhe mundësitë.

Zgjidhjet janë atje jashtë në terren, tha ambasadorja Vlahutin, duhet dialog me pronarët dhe të ndalen abuzimet me pronat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG