Lidhje

Presidenti Trump kritikon kompaninë Harley-Davidson


Presidenti Donald Trump e akuzoi të martën firmën e prodhimit të motoçikletave Harley-Davidson se po largohen nga Shtetet e Bashkuara, duke e transferuar pjesën më të madhe të aktivitetit prodhues jashtë vendit, për të shmangur tarifat e reja, të larta, të Bashkimit Europian ndaj motoçikletave të prodhuara në Amerikë.

Në një numër twitesh ku ai vë në objektiv firmën amerikane - ikonë të prodhimit të motoçikletave, Trump shkruan mes të tjerash: “Një Harley-Davidson nuk duhet ndërtuar kurrë në një vend tjetër!”

Udhëheqësi amerikan tha se kompania, që e ka qendrën në shtetin e Uiskonsinit, kishte njoftuar vitin e kaluar planet për t’i transferuar disa nga uzinat e prodhimit nga Shtetet e Bashkuara, për në Tailandë dhe tani po i shfrytëzon tarifat prej 31 për qind që Bashkimi Europian po vendos ndaj motoçikletave të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, si justifikim për të shtuar prodhimin jashtë Shteteve të Bashkuara.

Pjesët e këmbimit të motoçikletave të firmës prodhohen në mbarë botën, si Brazil, Australi, Indi, Japoni dhe Meksikë.

Ndërkohë, investitorët shpresojnë që tregjet amerikane dhe ato evropiane të aksioneve të ngrihen sot, një ditë pas rënies, pasi spekulimet mbi luftërat tregtare thelluan shqetësimet në mbarë globin.

Presidenti Donald Trump ka njoftuar planet për të imponuar tarifa për mallrat kineze, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara kanë planifikuar të fillojnë ngritjen e taksave mbi më shumë se 30 miliardë dollarë importe kineze në dy javë.

Kina ka premtuar të hakmerret menjëherë, duke i vënë përballë njëra tjetrës dy ekonomitë më të mëdha të botës.

Trump po paralajmëron partnerët tregtarë të SHBA-së se nëse ata nuk heqin kufizimet e vendosura mbi mallrat amerikane, do të përballen me "më shumë se sa reciprocitet nga ana e Shteteve të Bashkuara."

Trump tashmë i ka zemëruar partnerët kryesorë tregtarë të SHBA, duke përfshirë Kinën, Kanadanë, Meksikën, Bashkimin Evropian dhe Indinë, duke imponuar tarifa për çelikun, aluminin dhe produkte të tjera nga këto vende.

Në twitet e tij sot, Trump i doli në mbrojtje betejave tregtare të filluara me këto vende. "Ne do t’i bëjmë këto vende që t’i pakësojnë tarifat dhe barrierat tregtare të vendosura për vite me radhë, padrejtësisht, ndaj fermerëve, punonjësve dhe kompanive tona. Ne jemi duke i hapur tregjet e mbyllura… Këto vende duhet të zhvillojnë tregti të drejtë dhe të paguajnë tarifat!”, - shkruante në twitter Presidenti Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG