Lidhje

El Salvador, debat mbi luftën kundër bandës MS 13


Some Long Island-based supporters of President Trump gathered near Morrely Homeland Security Center in Bethpage on Wednesday, where the president held a roundtable discussion on the MS-13 gang.

El Salvadori, një vend i Amerikës Qendrore, përballet me një nga sfidat më të mëdha të rajonit, zgjerimin e bandave kriminale si MS-13. Bandat sfidojnë politikat e qeverisë për rendin, arrestimet dhe iniciativat për parandalimin e krimit. Grupet e ndryshme debatojnë nëse do të ishte më mirë të investohej në masa më të forta ndëshkuese, ndërhyrje sociale apo një kombinim i të dyjave. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Cristina Caicedo Smit njofton.

Në periferi të San Salvadorit, divizioni special i Policisë Civile Kombëtare përgatitet për një operacion për arrestimin e anëtarëve të dyshuar të bandës Mara Salvatrucha (MS 13), një grup kriminal ndërkombëtar i njohur për egërsinë e tij.

Policia ndërmerr operacione kontrolli në lagje të ndryshme gjatë natës, me lëvizje të planifikuara me kujdes për të kapur në befasi sa më shumë anëtarë të bandës.

"Kemi kryer operacione me të cilat kemi shkatërruar strukturat e bandës MS dhe asaj Rruga 18, por kryesisht të MS, të cilët operojnë në El Salvador dhe Shtetet e Bashkuara", thotë Howard Cotto, drejtor i policisë civile kombëtare El Salvador.

Presidenti i El Salvadorit, Salvador Sánchez Cerén, ndjek politikën e dorës së fortë për të luftuar bandat. Administrata e tij ka krijuar njësi të specializuara të policisë kundër bandave, të cilat ndihmohen edhe nga ushtria, duke shtuar numrin e operacioneve, arrestimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve të kriminelëve.

Guillermo Gallegos, kryetar i asamblesë së vendit, e mbështet këtë politikë. Ai do të donte të shihte metoda edhe më të ashpra për parandalimin e bandave.

"Dënimi me vdekje do të ishte një masë shembullore për çdo anëtar të bandës, sepse ata janë edhe frikacakë. Ata kanë frikë nga vdekja", thotë ai.

Por disa njerëz kanë ngritur dyshime ndaj theksit mbi aspektin e sigurisë pa mbështetje të mjaftueshme sociale. Një nga kritikët është Nayib Bukele, kryebashkiaku i San Salvadorit dhe kandidat për garën presidenciale të vitit 2019.

"Problemi është se bandat nuk janë shkaku, ato janë pasojë e diçkaje".

Diçka që kërkon një projekt gjithëpërfshirës dhe urgjent social, sepse, sipas zotit Bukele, MS-13 po bëhet më e fortë dhe më e dhunshme në El Salvador.

"Tani ata kontrollojnë pothuajse të gjithë territorin kombëtar, ka zona ku praktikisht 100 për qind e bizneseve zhvaten nga kjo bandë. Ka më shumë përdhunime. Anëtarët e bandës janë të zhytur në trafik droge dhe armësh. Ata kanë më shumë njerëz të armatosur se më parë".

Kryebashkiaku i San Salvadorit favorizon angazhimin e vazhdueshëm ndaj programeve sociale për të edukuar dhe mbështetur më mirë rininë e vendit. Carlos Fernandez drejton një program zhvillimi, që shtrihet nga edukimi i hershëm i fëmijëve deri te trajnimi i tyre për punë. Ai thotë se kompetenca krijon vetëbesim që mund të zvogëlojë mundësinë e bandave për t'i rekrutuar ata.

"Synimi është që përmes trajnimeve të krijojmë një njeri të ndryshuar, ‘ i cili shikon drejt të ardhmes dhe zhvillimit me optimizëm. Dhe, unë mendoj se kjo arrihet vetëm përmes proceseve të thella arsimore. Ato janë të kushtueshme sepse kërkojnë angazhim të një personeli të madh dhe orë të shumta pune".

Qeveria e El Salvadorit vazhdon të kërkojë rrugë të reja për të reduktuar dhunën e bandave. Megjithëse Policia Kombëtare ka njoftuar një zvogëlim të numrit të vrasjeve me 1.300 më pak gjatë vitit 2017, krahasuar me vitin e mëparshëm, kërcënimi nga banda MS 13 vazhdon ta sfidojë këtë vend të Amerikës Qendrore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG