Në Shqipëri, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rikonfirmoi sot në detyrë Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku Zonja Marku rezultoi të plotësonte të tre kriteret e ligjit për rivlerësimin e prokurorëve dhe gjykatësve, që lidhen me pasurinë, integritetin moral dhe formimin profesional.
Një ditë më parë gjatë seancës dëgjimore, Komisioni por dhe përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Teo Jakobs, u shprehën të zhgënjyer për mungesën e zonjës Marku e cila u përfaqësua nga avokatja e saj. Kjo e fundit, shpjegoi sot se pjesmarrja ose jo nuk është një detyrim.
Për drejtuesen e trupës së KPK-ës shmangia e përballjes me institucionin e rivlerësimit “është mungesë prestigji”. Nga ana e tij Jakobs e cilësoi “një shenjë jo të mirë”, mungesën e zonjës Marku, duke shtuar se “lidershipi nuk përbëhet vetëm nga autoriteti por dhe nga llogaridhënia”, u shpreh përfaqësuesi i ONM-ës, ndërsa tha më tej se do të kishte patur dëshirë të zhvillonte “nje debat profesional mbi disa çështje ligjore” me të.
Debati që zoti Jakobs kishte preferuar të zhvillonte me zonjën Marku lidhet me sa duket me një çështje që ajo kishte patur kur ka qenë prokurore e Shkodrës, dhe ka kërkuar mbajtjen në burg të një personi të ndaluar sepse kishte drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Një masë e cila është vlerësuar e tepruar nga zoti Jacobs e po ashtu e paarsyetuar, duke ju referuar dhe një vendimi të Kolegjit të Bashkuara të Gjykatës së Lartë sipas të cilit masa e arrestit urdhërohet kur vepra është e rrezikshme. Por sipas avokates, së zonjës Marku, masa me burg ishte kërkuar pasi personi ishte përsëritës i kësaj vepre penale, dhe se legjislacioni e parashikon dënimin me burg.
Kjo çështje por dhe diskutimi mbi mënyrën se si zonja Marku ka drejtuar Prokurorinë e Përgjithshme në këto afro 7 muaj në krye të saj, lanë në hije përfundimet pozitive mbi pasurinë dhe integritetin moral të saj. Kryeprokurorja e Përkohshme bëri disa lëvizje të drejtuesve të Prokurorive, të cilat provokuan dhe debate publike. Relatorja e KPK tha se Marku nuk kishte dhënë shpjegime të detajuara për komandimet e kryera prej saj, duke thënë vetëm se ishin realizuar në kuadër të riorganizimit të brendshëm, apo dhe nisur nga dosjet e mbuluara nga prokurorët, por sipas relatores ende nuk është miratuar asnjë procedurë lidhur me trasnferimet apo komandimet e prokurorëve. Ndërsa avokatja e kryeprokurores u shpreh sot se ajo kishte vepruar në mungesë të kuadrit ligjor, që nuk duhet të përbëjë pengesë për zhvillimin e aktivitetit të institucionit. “Institucionet duhet të vazhdojnë aktivitetin pavarësisht vakumit të krijuar nga reforma kushtetuese, dhe këtë e ka shprehur qartë edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj”, deklaroi avokatja e kryeprokurores.
Nga ana e saj edhe sot, Partia Demokratike deklaroi se “rikonfimimi i zonjës Marku konfirmon cënimin e besimit të publikut ndaj procesit të vettingut dhe shembjen e shtyllës kryesore të Reformës në Drejtësi”, u shpreh deputeti Enkelejd Alibeaj, sipas të cilit “Nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Arta Marku do të ishte shkarkuar nga detyra. Sot në Krye të Prokurorisë është një person i paaftë profesionalisht dhe që meritë të vetme të saj ka besnikërinë ndaj Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm”, u shpreh zoti Alibeaj.
Facebook Forum